Mbrojtësi i Kosovës, Leart Paqarada, pritet të jetë transferimi i parë i Koelnit të Bundesligës gjermane në verë.
Kështu ka shkruar të shtunën mediumi gjerman “Express.de”.
Sipas mediumit gjerman, klubi dhe futbollisti 28-vjeçar janë pajtuar për një transferim të tillë.
Kapiteni kosovar i St. Paulit aktualisht do të jetë futbollist i lirë në verë.
Drejtori sportiv i Koelnit, Christian Keller 44-vjeçar, nuk e ka mohuar interesimin për Paqaradën.
“Mendoj se ai është mbrojtësi më i mirë i krahut të majtë në rangun e dytë të futbollit dhe do të ishte gjë e mirë nëse ai do të luante për ne”, ka thënë Keller, edhe pse ende asgjë nuk ka zyrtare.
“Ai ka luajtur me vazhdimësi të lartë për disa vjet dhe është lojtar shumë inteligjent. Ka nivel të lartë teknik të lojës dhe është shumë i sigurt në ndërtimin e lojës, edhe kur ka presion nga kundërshtari. Ka zgjidhje dhe në të njëjtën kohë, rrezikon portën kundërshtare. Ka harkime të mira dhe është i rrezikshëm në goditjet e dënimit”, ka shtuar Keller.
Sipas tij, nuk është çudi që futbollisti i Kosovës po kërkohet nga “gjysma e ekipeve të Bundesligës”.