×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Paqartësitë me Ministrinë e Drejtësisë, Specialja vendos gjyqtar për monitorimin e kompensimit të viktimave në rastin e Mustafës

    Insajderi
    18 January 2024 - 11:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Gjykata Speciale ka vendosur francezin Gilbert Bittin si gjyqtarin e vetëm për monitorimin e kompensimit të viktimave në rastin e Salih Mustafës. Periudha brenda së cilës pritet të bëhet monitorimi, sipas vendimit të Speciales, është një vit. Shuma që është caktuar nga gjykata për kompensimin e viktimës është 207 mijë euro, të cilët presin që kjo të arrihet përmes Programit të Kompensimit të Viktimave të Krimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Insajderi ka kërkuar sqarime më herët nga MD-ja për ta pyetur se si pritet të rregullohet kjo çështje, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.

    Më 17 janar, kryetarja e Speciales, Katarina Trendafilova, ka caktuar Gilbert Bittin si gjyqtar të vetëm për të mbikëqyrur zbatimin nga Sekretari i urdhrit për dëmshpërblim në rastin e Salih Mustafës, të lëshuar më 6 prill të vitit të kaluar, raporton Insajderi.

    Gjyqtari i vetëm, sipas njoftimit të Speciales, “caktohet për periudhën njëvjeçare dhe ai do të marrë raporte nga Sekretari për çdo veprim të ndërmarrë nga Programi për Kompensimin e Viktimave të Krimit në Kosovë“.

    Trupi gjykues ka caktuar shumën prej 207 mijë eurosh për dëmshpërblim të viktimave në rastin kundër Salih Mustafës. Kjo shume është destinuar të ndahet për tetë viktima.

    Mustafa u dënua nga shkalla e parë e gjykatës me 26 vite burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Shkalla e dytë e gjykatës ia zbriti dënimin atij në 22 vite.

    Para një viti, kryetarja e trupit gjykues në rastin e ‘Calit’, urdhëroi Ministrinë e Drejtësisë të jepte sqarime për çështjen e kompensimit të viktimave, përpara se të merrej vendimi.

    Avokatja e viktimave, Annie Pues, ishte ankuar se Ministria e Drejtësisë s’kishte ofruar opsione konkrete për kompensimin e viktimave, vetëm se ka paraqitur pasqyrë të legjislacionit ekzistues.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar më herët sqarim nga Ministria e Drejtësisë për këtë çështje, por s’ka marrë asnjëherë përgjigje.

    Vetë Haxhiu kishte thënë se shteti i Kosovës nuk ka bazë ligjore që t’a paguajë dëmshpërblimin për viktimat në rastin e Salih Mustafës.

    Më duhet të theksoj se ne nuk mund të veprojmë në shpërputhje me legjislacionin që ka Republika e Kosovës. Ne e kemi Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe ky Ligj jep mundësi Komisionit përkatës, që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të kompensojnë viktimat e krimit. Mirëpo për veprat të cilat nuk ndërlidhen me luftën. Prandaj ne edhe kemi sqaruar se rregullimi aktual nuk e adreson këtë çështje…unë mendoj se nuk ka bazë ligjore për të bërë një gjë të tillë”, kishte thënë ajo.

    Kush është gjykatësi i përcaktuar si monitorues?

    Sipas biografisë në uebfaqen e Speciales, Bitti ka shërbyer si Këshilltar i Lartë Ligjor në Divizionin e Paragjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

    Ai më tej ka vepruar si Shef i Seksionit të Pjesëmarrjes dhe Dëmshpërblimeve të Viktimave të GJNP-së (2003) dhe si zëvendës i Shefit të Seksionit të Këshillimit Ligjor në Zyrën e Prokurorit të GJNP-së (2004-2005).

    Ai ishte këshilltar i Qeverisë Franceze pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (1993-2001) dhe ishte anëtar i delegacionit francez gjatë negociatave të Statutit të Romës dhe Rregullores së Procedurës dhe Provave.

    Bitti është anëtar i Bordit Këshillimor për Qendrën për Ligjin dhe Politikën Ndërkombëtare (CILRAP). /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark