×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Para një muaji tregonte çfarë mendon “saktësisht” Joe Biden, si i iku duarsh “njohja e ndërsjellë” Kurtit

    Insajderi
    15 February 2023 - 16:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i shkuan dy letra nga Shtetet e Bashkuara në urimin e Ditës së Shtetësisë, dhe në të dyja komponent i pareduktueshëm ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe plani evropian për normalizim të marrëdhënieve, shkruan Insajderi.

    Megjithatë një frazë e cila i ka shoqëruar kaherë letrat amerikane drejtuar çështjes së dialogut, mungonte. Ajo e “njohjes së ndërsjellë” që ka qenë qëndrim i amerikan rreth dialogut.

    Në letrën e Presidentit të ShBA’së, Joe Biden, nuk përmendej njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi, por mirëpritej pranimi i planit evropian nga pala serbe.

    Në letrën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ky i fundit shkroi se “liderët e Kosovës dhe Serbisë do të bëjnë kompromise të vështira” dhe se ato do të sjellin “përfitime të mëdha” për tërë rajonin.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili vazhdimisht rifrazonte se “siç ka thënë Presidenti Biden” se dialogut duhet të jetë i qendërzuar në njohje të ndërsjellë, pyetur rreth letrave Biden-Blinken, thotë se “nuk i ka lexuar” dhe se “nuk jam unë autor i tyre”.

    “Besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesor në shtetndërtimin tonë demokratik”, tha ai.

    Karakteri i letrave të Blinken ndryshoi substancialisht. Më 8 prill, 2021 Blinken në letrën e tij drejtuar Kurtit shkruante se “sigurimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë në qendër është thelbësore për mundësinë e Kosovës që të arrijë potencialin e plotë drejt rrugës së saj për në BE”.

    Letra e sotme, megjithatë, u frazua ndryshe. “Kam besim se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe për të gjithë qytetarët në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai, shkruan Insajderi.

    “Sigurisht, liderët e Serbisë dhe Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur këto qëllime, por përfitimet për popullin serb – dhe rajonin në tërësi – do të jenë të mëdha”, ka shkruar Anthony Blinken.

    Para disa javësh, Kurti madje e vënte në kontradiksion qëndrimin e Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar me atë të Presidentit Joe Biden.

    “Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan”.

    “Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai”, pati thënë Kurti për Radion Evropa e Lirë./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark