Caktimi i masës së paraburgimit ndaj veteranit të UCK-së, Ekrem Selimi, i cili dyshohet bashkë me Fadil Zogajn për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka kaluar në shkallën e dytë të gjykatës. Mbrojtja e të pandehurit, e udhëhequr nga avokatja Liriona Morina, ka parashtruar ankesë zyrtare në Gjykatën e Apelit, duke rrëzuar pikat kryesore mbi të cilat Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe gjykata e shkallës së parë mbështetën masën më të rëndë të sigurisë.
Në ankesën e dorëzuar, avokatja Morina argumenton se gjykata ka dështuar të vërtetojë ekzistimin e një rreziku konkret, aktual dhe individual se Ekrem Selimi do ta përsërisë veprën penale nëse lihet në liri. Sipas mbrojtjes Prokuroria dhe gjykata nuk mund t’i trajtojnë rastet e mëparshme të përmendura, një nga viti 2016 dhe një nga viti 2024, si dëshmi automatike të fajësisë apo si tregues të prirjes për përsëritje të veprës, duke theksuar se kjo bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë.

Rreziku i pretenduar nga autoritetet është zhdukur në praktikë, pasi protestat që kanë shërbyer ca bazë për dyshimet kanë përfunduar tashmë më 06.10.2026.
Mbrojtja vë ankesën në dukje edhe te mangësitë e provave të paraqitura nga organet e ndjekjes.
Sipas ankesës, materialet filmike, fotografitë dhe raportet policore nuk dëshmojnë ndonjë rrezik real nga i pandehuri në të ardhmen.
Deklarata e vetë Ekrem Selimit është keqinterpretuar nga shkalla e parë; ai vetëm ka shpjeguar rrethanat e ndodhjes dhe ka shprehur keqardhje e pendim të sinqertë për ngjarjen, e cila ka ndodhur papritmas nga mllefi i turmës, pa pasur kurrfarë konflikti personal apo qëllim për të sulmuar ndonjë deputet specifikisht për shkak të funksionit.
Duke iu referuar standardeve ndërkombëtare dhe Rregullave të Tokios, mbrojtja thekson se paraburgimi duhet të mbetet gjithmonë masa e fundit (ultima ratio).
Ankesa argumenton se aktvendimi i shkallës së parë nuk ka ofruar një arsyetim të individualizuar se përse masat alternative më të buta, si ndalimi i afrimit pranë Kuvendit, Qeverisë dhe objekteve përreth do të ishin të pamjaftueshme.
Për më tepër, gjatë seancës mbrojtja kishte propozuar pikërisht caktimin e masës së ndalimit të afrimit në vendet e caktuara, e cila do t’i adresonte drejtpërdrejt rrethanat e pretenduara pa pasur nevojë për privim nga liria.
Në përfundim, mbrojtja kërkon nga Gjykata e Apelit që të aprovojë ankesën si të bazuar, të ndërpresë masën e paraburgimit për Ekrem Selimin që ai të mbrohet në liri, ose në alternativë të caktojë ndonjë masë më të butë sigurie të parashikuar me ligj.
Background i Rastit
Rasti ka nisur më 05.10.2026 gjatë një proteste të organizuar pranë ndërtesave të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës kundër projektligjit për Dhomat e Specializuara. Në këtë ngjarje u përfshi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, i cili u ballafaqua me protestuesit, përfshirë Fadil Zogajn dhe Ekrem Selimin.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit e kapën deputetin për krahu dhe trupi duke u munduar ta fusnin brenda oborrit të Kuvendit me forcë për të votuar, çka çoi në arrestimin e tyre dhe caktimin e paraburgimit prej 1 muaji nga Gjyqtari i procedurës paraprake, Fisnik Gashi. Mbrojtja e ka kundërshtuar ashpër këtë masë, duke kërkuar trajtim të drejtë ligjor në Gjykatën e Apelit.