×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Paralajmërimi i Haradinajt për mbajtjen e zgjedhjeve, Krasniqi: Mundësia e vetme për të ndaluar dëmin

    Insajderi
    02 January 2024 - 17:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë. Këtë deklaratë e ka komentuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi.

    Krasniqi është shprehur se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në aspektin ekonomik ka shkaktuar humbje të mëdha.

    Por, sipas saj shkuarja në zgjedhjet e parakohshme si shkak i Qeverisë Kurti është mundësia e vetme për të ndalur të keqen.

    “Të them të drejtën, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është shndërruar në një trend negativ që nga themelimi i institucioneve të vendit, gjë që në aspektin ekonomik ka shkaktuar humbje të mëdha në organizimin e tyre por edhe ka pasur impakt në stabilitetin e vendit, por në rastin konkret shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme është mundësia e vetme për të ndalur të keqen dhe rrezikun që po i shkaktohet vendit nga kjo qeveri dhe këta njerëz të papërgjegjshëm që nuk ia duan të mirën shtetit”, tha Krasniqi.

    Deputetja e LDK-së, në një prononcim për Gazetën Insajderi akuzoi Qeverinë se gjatë këtyre tri viteve sa edhe janë në pushtet, qytetari është më i varfër.

    “Deri më tani ka pasur vetëm shprehje të vullnetit për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme, por nuk ka pasur ende diçka konkrete, sepse ato më së paku i konvenojnë kësaj qeverie e cila mori pushtet për të bërë ndryshimin e madh i cili nuk ndodhi në asnjë fushë dhe segment të jetës, për kundrazi, shpresa është venitur në masë me përkeqësimin e gjendjes në aspektin e përgjithshëm, me 3 vitet të qeverisjes Kurti, qytetari është më i varfër, nuk ka zhvillim ekonomik, ka stagnim në shumë fusha e regres në disa të tjera”, tha ajo për Insajderin.

    Krasniqi cek disa shembuj ku nuk është shënuar asnjë rezultat nga kjo qeverisje aktuale.

    “Shembull e kemi rastin e diplomacisë ku nuk është shënuar asnjë rezultat, nuk kemi pasur asnjë njohje të re e as anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkohë që janë paguar dhe vazhdojnë të paguhen para të majme për njerëz të angazhuar në diplomaci, siç është edhe rasti i Gani Jakupit i cili merr pagë mbi 7500 euro ndërkohë kemi stagnim në këtë fushë, e kjo nuk është tjetër veçëse abuzim me paratë e qytetarëve. Në aspektin e përgjithshëm Kosova është kthyer 10 vite mbrapa, e shihni gjendjen me pjesën veriore të vendit, ku si pasojë e kokëfortësisë së Kryeministrit Kurit, BE vendosi edhe disa sanksione ndaj Kosovës ku për pasojë edhe u pezulluan disa projekte milionëshe nga BE-ja”, theksoi ajo.

    Tutje deputetja e LDK-së shprehet se lista e dështimeve është e gjatë, prandaj e njëjta konsideron se shkuarja në zgjedhje do të minimzonte dëmin.

    “Lista e dështimeve është tepër e gjatë, prandaj konsideroj se dëmi do të minimizohej me shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe me ndëshkimin e kësaj qeverie mashtruese dhe manipuluese”, transmetoi Krasniqi.

    Gjatë diskutimit Krasniqi theksoi se qeverisë Kurti nuk iu interson zhvillimi dhe deklaroi se secilin ligj e kanë anti-kushtetues.

    Këta derisa e shohin shtetin e Kosovës si të përkohshëm nuk ju intereson zhvillimi, sepse janë të interesuar veç për të qëndruar në pushtet dhe rrjedhimisht përmes tij të rahatojnë njerëzit e tyre, nisur nga ndarja e kontratave milionëshe e deri tek kapja e bordeve. Merreni me mend as 25% nuk është përmbushur programi legjislative i Kuvendit, dhe po thuajse secilin ligj e kanë anti-kushtetues, këto janë vetëm disa prej arsyjeve për të cilat vendi duhet të shkojë menjëherë në zgjedhje, për çka ne si LDK jemi me të gatshëm se kurrë për të marrë pjesë në to“, deklaroi Krasniqi për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark