Trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp, e lavdëroi homologun e tij Unai Emery dhe tha se ai e ka respektuar gjithmonë shumë, por pasi ka parë ndeshjet e fundit të Villarrealit është befasuar.
Gjermani ka folur për mediat në “Anfield”, një ditë para përballjes me Villarrealin në gjysmëfinalen e parë të Champions League.
“Ne e kemi analizuar shumë Villarrealin, sigurisht. Unë tashmë kisha shumë respekt për Emery dhe Villarrealin, por tani kam qenë në gjendje t’i shoh ata siç duhet dhe… wow. Janë mbresëlënës. Ai është një trajner i klasit botëror dhe po bën një punë të jashtëzakonshme,”- tha Klopp në konferencë.
Trajneri gjerman u pyet edhe për finalen e Europa League më 2016, në të cilën Liverpooli humbi kundër Sevillës së Emery.
“Nuk kam menduar për atë finale të Europa League për një kohë të gjatë. Më kujtohet se atë natë thashë se do të ktheheshim më të fortë dhe mendoj se e bëmë. Ishte një sezon shumë i komplikuar dhe i vështirë, ajo finale ishte ndeshja jonë e 64-t. Ajo nuk mund të krahasohet me këtë”,- shpjegoi Klopp, i cili paralajmëroi gjithashtu rolin e Villarrealit si humbës.
“Ndoshta ata kishin pak avantazh, sepse Juventusi dhe Bayern i nënvlerësuan, por kjo nuk do të ndodhë me ne. Ata janë të shtatët në ligën spanjolle. Pasi mposhtën Bayernin në çerekfinale, ata duhej të luanin me Athletic Bilbao dhe ata arritën të barazojnë. Spanja është një ligë shumë konkurruese, por Unai ka treguar se ka një plan për çdo rezultat. Do të jetë një ndeshje e veçantë, një ndeshje e madhe, por e dimë se kush është Villareali…”- shtoi Klopp.