Përfaqësuesi i Kosovës në garat ndërkombëtare të Paragliding, Fanol Shala ka arritur ta rendis Kosovën në vendin e pestë dhe vetën në vendin e nëntë, në listën e më të mirëve të këtij sporti ekstrem.
Ai për Insajderin ka rrëfyer se si ka ardhur deri në këtë pozicionim, ku ka thënë se me këtë arritje ai ka përmbushur vetëm një pjesë të synimeve të tij.
“Bazuar në pikët që kam mbledhë në garat që kam marrë pjesë në vitin 2022, kam arritur të renditem në pozitën e 11. Por, pas rifreskimit të rezultateve për garat që kanë ndodhur më herët, unë kam dal dy pozita me poshtë do me thënë jam në vendin e nëntë. Ky rezultat ka ndikuar edhe në rezultatin e shtetit, ku ne si Kosovë renditemi në vendin e pestë në botë. Synim e kam që të arrij majat e botës dhe shpresoj shumë që brenda këtij viti nëse mund të mos arrij vendin e parë, të paktën të jem në Top 5-shën e parë të botës”, ka deklaruar Shala.
Sportisti ka deklaruar se njëra ndër sfidat më të mëdha për të arrit në këtë pikë ka qenë mbështetja financiare nga institucionet.
“Me paraglyding kam filluar të merrem në vitin 2014 ndërsa në gara marrë pjesë që nga viti 2017. Në fillimet e mija pjesën e financave e kam pasur shumë sfiduese por kur kam filluar të korrë suksese, ku është pa se unë nuk po ndalem, kanë filluar edhe ndihmat nga komuna e Obiliqit, ndihmat e Ministrisë së Kulturës ndaj Federatës. Mbështetja nga Ministria bëhet në bazë të pikëve që i mbledhim në gara ndërkombëtare. Deri më tash shuma destinuar Federatës, që i përfshinë të gjitha klubet që janë në Kosovë, ka qenë diku 37 mijë euro”, ka thënë ai.
Shala, i cili në të njejtën kohë ushtron edhe rolin e trajnerit ka rrëfyer se njëra ndër fokuset e tij është motivimi për angazhim dhe stërvitja e grave në paraglyding.
“Kam një pilote që merrë pjesë në gara ndërkombëtare dhe i kam edhe pesë pilote tjera që janë duke u përgaditur për licensim. Unë së bashku me bashkëshorten time mundohemi të motivojmë edhe garë të tjera që të merren me këtë sport. Pasi, ato duhet ta bëjnë këtë, është diçka shumë e mirë për to, ndikon që të ndihen mirë, të ndihem rehat, të mos ndihen të cenuara. Dhe të ndërgjegjësohemi se edhe një grua mund të jetë një kampione bote në këtë sport”, ka thënë ai.
Shala ka rrëfyer gjithashtu edhe eksperiencën me ngritjen e parashutave në qiellin e “Big Brother”.
“Unë jam njëri ndër pilotët që dërgon drona në “Big Brother Kosova”. Ndihem i kënaqur kur dikush lumturohet nga puna ime. Pilotit Arbër Gjaja që dërgon dronë në “Big Brother Albania”, produksioni ia ka ndaluar të dërgojë dronë. Ndërsa, produksioni i Big-ut të Kosovës deri para pak kohe ma kanë ndaluar por tani jo”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se Shala ka qenë pjesë e misionit të kërkim-shpëtimit të të mbijetuarve nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi./Insajderi