Insajderi
Analiza

“Paratë e stadiumit shkojnë për rrymë e mbi 6.5 milionë euro borxhe ‘harrohen'”, çka thuhet në raportin e Auditorit për komunën që udhëhiqet nga Imri Ahmeti

Insajderi
26 June 2026 - 12:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Paratë e stadiumit shkojnë për rrymë e mbi 6.5 milionë euro borxhe ‘harrohen'”, çka thuhet në raportin e Auditorit për komunën që udhëhiqet nga Imri Ahmeti
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zavarritje projektesh, kaos me tatimin në pronë dhe parregullsi të shumta në komunën që udhëhiqet nga Imri Ahmeti. Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Lipjanit, institucion ky që udhëhiqet nga kryetari Imri Ahmeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Raporti ka rezultuar me një sërë gjetjesh teknike dhe financiare. Insajderi ju sjell detajet e plota të këtij raporti.

Shkeljet kontraktuale për stadiumin, kaosi me tatimin në pronë, mungesa e monitorimit të subvencioneve në bujqësi, keqmenaxhimi i pasurisë zyrtare, kontratat e vjetra në arsim, vonesat e pagesave ndaj operatorëve dhe projektet kapitale pa penalitete, nxjerrin në pah një varg dobësish në menaxhimin e parasë publike nga ana e komunës.

Në raportin e auditorit që e ka parë Insajderi, thuhet se pagesa për shpenzimet e stadiumit është bërë në në kundërshtim me kontratën.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Lipjanit ka kryer një pagesë në vlerë prej 7,000 eurosh në kundërshtim me kushtet dhe specifikimet e kontratës zyrtare. Ky transaksion financiar është realizuar për të mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike të stadiumit të qytetit “Sami Kelmendi”.

Auditori specifikon se ky veprim përbën shkelje kontraktuale, pasi mjetet e ndara për projektin kapital të stadiumit nuk kishin destinim mbulimin e faturave të rrymës. Për më tepër, sipas procedurave ligjore të menaxhimit të financave publike, shpenzimet e energjisë elektrike të objekteve sportive nuk mund të mbulohen nga kodet buxhetore të investimeve kapitale dhe jashtë kornizës së paraparë me kontratë.

Vonesat në pagesat e faturave dhe mosrespektimi i afateve ligjore

ZKA ka konstatuar se Komuna e Lipjanit, ka shfaqur dobësi në menaxhimin e detyrimeve financiare, duke mos i paguar faturat brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Gjatë një vlerësimi të hollësishëm të procedurave të pagesave, auditorët kanë marrë në shqyrtim një mostër prej shtatë (7) faturave të ndryshme, vlera totale e të cilave arrinte në 9,119 euro.

Rezultatet e këtij verifikimi kanë qenë: komuna nuk kishte kryer pagesën e obligimeve brenda afatit të përcaktuar. Vonesat për këto fatura të papaguara kanë arritur deri në 239 ditë pasi kishte përfunduar afati zyrtar i lejuar.

Raporti citon specifikisht Nenin 39.1 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP). Ky nen përcakton qartë se Zyrtari Kryesor Financiar (ZKF) i organizatës buxhetore është përgjegjës direkt për të siguruar që çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagim – për mallra, shërbime të pranuara apo punë të realizuara – të paguhet brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës.

Auditori ka konstatuar se kjo shkelje ka ndodhur për një arsye specifike: komuna nuk ka pasur mjete të mjaftueshme financiare dhe ka marrë përsipër obligime pa bërë asnjë planifikim apo analizë paraprake buxhetore.

Pasojat e këtij keqmenaxhimi pritet t’i kushtojnë shtrenjtë buxhetit komunal. ZKA tërheq vërejtjen se vonesat e tilla në kryerjen e obligimeve mund t’i shkaktojnë kosto të mëdha shtesë komunës, pasi ajo rrezikon të përballet me padi gjyqësore nga kontraktuesit e dëmtuar.

Për të sanuar këtë situatë dhe për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të parasë publike, Zyra Kombëtare e Auditimit ka lëshuar një rekomandim të prerë.

Sipas këtij urdhri, Kryetari i Komunës duhet të sigurojë që hyrja në obligime të reja të bëhet vetëm pas një analize të mirëfilltë buxhetore.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar parregullsi të rënda në menaxhimin e tatimit në pronë nga ana e komunës, duke evidentuar gabime të mëdha në aplikimin e zbritjeve për vendbanim parësor dhe mungesë të dhënash bazike.

Sipas Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2011, komuna është përgjegjëse për regjistrimin e saktë të të dhënave, ku çdo tatimpagues fizik duhet të ketë të regjistruar numrin personal identifikues.

Ligji po ashtu parasheh një zbritje prej 30,000 eurosh nga vlera e pronës për vendbanimin parësor.

Çka gjeti auditori?

Janë identifikuar 1,643 tatimpagues individualë që nuk kanë numër personal në sistem. Përveç kësaj, 1,182 prej tyre kanë përfituar zbritje pa pasur fare dokument identifikimi në bazën e të dhënave.

Në gjashtë (6) raste zbritja për vendbanim parësor është aplikuar dy herë për të njëjtin person, ndërsa në një (1) rast është aplikuar plot tri herë.

Në anën tjetër, për 13,994 tatimpagues që kishin të drejtë për zbritjen e plotë prej 30,000€, komuna ka aplikuar gabimisht një zbritje prej vetëm 15,000€.

Auditori konstaton se ky kaos ka ndodhur si rezultat i mungesës së veprimeve nga departamenti komunal i tatimit në pronë për të identifikuar dhe zgjidhur këto mangësi, si dhe për shkak të mosazhurnimit (mospërditësimit) të informatave në bazën e të dhënave.

Ndahen qindra mijëra euro subvencione, komuna “harron” t’i monitorojë fermerët

ZKA ka gjetur shkelje dhe mungesë të theksuar kontrolli në menaxhimin e subvencioneve për sektorin e bujqësisë nga ana e komunës gjatë vitit 2025.

Projektet e ndara (Vlera rreth 200,000€)

Komuna kishte ndarë tri projekte të mëdha për pajisje dhe infrastrukturë bujqësore:

Serra 100 m²: Përfituan 97 fermerë (Vlera: 107,767€)

Serra 50 m²: Përfituan 92 fermerë (Vlera: 53,820€)

Motokultivatorë (87 copë): Përfituan 92 fermerë (Vlera: 38,280€)

Edhe pse marrëveshja e obligonte komunën që për 3 vite të bënte inspektime dhe auditime, ajo nuk ka kryer asnjë monitorim. Kjo e bën të pamundur verifikimin nëse fermerët po i përdorin serra dhe motokultivatorët apo nëse u arritën qëllimet e subvencionit.

Te projekti i serrave 100 m², punët kishin përfunduar më 30 prill 2025, ndërsa vendimi për themelimin e komisionit për pranimin e mallit u mor vetëm më 4 qershor 2025 (35 ditë vonesë pasi kontrata kishte kryer).

Sipas auditorit, ky dështim ka ardhur si pasojë e mungesës së mekanizmave të brendshëm për monitorim, moszbatimit të procedurave administrative për pranimin e mallit, si dhe mungesës së koordinimit në kohë lidhur me rregullat e prokurimit publik.

Keqmenaxhim me pasurinë zyrtare; laptopët mbesin te ish-kuvendarët, pasuritë e reja pa barkode

Auditori ka zbuluar një gjendje kaotike në menaxhimin e pasurisë jo-financiare në Komunën e Lipjanit.

Raporti i fundit nxjerr në pah se komuna nuk ka harmonizuar regjistrat zyrtarë me gjendjen reale në terren, duke shkelur rregulloret në fuqi për menaxhimin e pasurisë publike.

Komisioni për inventarizim i emëruar në fund të vitit 2025 ka identifikuar mangësi të shumta, përfshirë pasuri të paregjistruara, të dëmtuara, të humbura dhe pa barkode.

Gjetja më specifike tregon se 75 zyrtarë figuronin ende në regjistra si të ngarkuar me pasuri të komunës, ndonëse e kishin lënë punën ose kishin dalë në pension.

Në këtë mes, auditori specifikon mosdorëzimin e laptopëve nga ana e ish-kuvendarëve.

Gatë ekzaminimit fizik të blerjeve të vitit 2025, auditorët gjetën se pasuritë e reja nuk ishin pajisur fare me barkode identifikuese. Kjo përfshin: Furnizimin me pajisje elektroshtëpiake në vlerë prej 9,468€ dhe furnizimin me mobilie në vlerë prej 44,740€.

Auditori thekson se kjo situatë ka qenë e njëjtë edhe gjatë vitit 2024.

Menaxhmenti i komunës nuk ka ofruar dëshmi se i ka analizuar këto diferenca apo se ka inicuar procedura për pasuritë e munguara.

Pas diskutimeve me auditorët, zyrtarët komunalë kanë ndërmarrë hapa duke shkarkuar nga përgjegjësia 43 zyrtarë, mirëpo 28 të tjerë vazhdojnë të mbesin ende të ngarkuar me pasuri në regjistrat zyrtarë pa bërë pranim-dorëzimin siç e kërkon ligji.

Ky keqmenaxhim ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme, mungesës së llogaridhënies dhe moszbatimit të rregullave nga ish-punonjësit.

Sipas ZKA-së, këto parregullsi rrisin rrezikun për humbje ose keqadministrim të pasurisë, çojnë në pasaktësi të të dhënave financiare dhe cenojnë rëndë transparencën e institucionit.

Zyrtarët paguhen me ligj të ri, por kontratat i kanë të vjetra

ZKA ka zbuluar parregullsi në menaxhimin e burimeve njerëzore në sektorin e arsimit komunal, ku kontratat e punës dhe aktet e emërimit nuk janë harmonizuar me ndryshimet e fundit ligjore për pagat dhe zyrtarët publikë.

Në pjesën hyrëse të raportit bëhet e ditur se buxheti final për paga dhe shtesa ishte 13,827,622€, prej të cilave u shpenzuan 13,822,175€ (apo 98%). Po ashtu, numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte paraparë të jetë 1355, ndërsa në fund të vitit 2025 ky numër ka përfunduar në 1348 punëtorë.

Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, të gjitha institucionet obligohen të përgatisin dhe nënshkruajnë akte të reja emërimi apo kontrata pune që reflektojnë klasën e re të pagës dhe koeficientin përkatës.

Megjithatë, nga testimi i 70 mostrave të marra në shqyrtim, auditori ka gjetur se: Në 13 raste kontratat e punës ose aktet e emërimit të punonjësve në sektorin e arsimit nuk ishin përditësuar.

“Edhe pse paga e këtyre punonjësve ishte përllogaritur sipas ligjit për pagat, mungesa e harmonizimit të kontratave ose akteve të emërimit me këtë nivel pagash përbën një mungesë në dokumentacionin zyrtar dhe në përcaktimin formal të të drejtave të punëtorëve” , thuhet në raportin e ZKA-së.

Gjatë procesit të auditimit, Drejtoria e Arsimit ka reaguar duke u dërguar email drejtorëve të shkollave me kërkesën për nënshkrimin e kontratave të reja.

Auditori vlerëson se kjo ka ndodhur si rrjedhojë e dobësive të kontrollit të brendshëm tek burimet njerëzore në Drejtorinë e Arsimit.

Kjo situatë sjell si pasojë mosrespektimin e ligjit dhe krijon paqartësi juridike, pasi kontrata e punës nuk e pasqyron nivelin e saktë të pagës bazë dhe koeficientit që punëtori merr aktualisht.

Vonesa në fushat sportive e në shesh: Komuna toleron kompanitë, s’ka penalizime

ZKA ka zbuluar dështime të rënda në menaxhimin e investimeve kapitale nga ana e komunës. Raporti zyrtar dëshmon se projektet milionëshe janë zvarritur përtej afateve të kontraktuara, ndërsa komuna ka toleruar kompanitë duke mos aplikuar asnjë masë ndëshkuese (penale) ndaj tyre.

Sipas të dhënave të pasqyrave financiare, buxheti final për shpenzime kapitale kishte pësuar një rritje prej 1,682,750€ (kryesisht nga bartja e të hyrave vetjake nga viti 2024 dhe donacionet), duke u shpenzuar gjithsej 7,085,887€ (apo 84%).

Megjithatë, një shifër shqetësuese tregon se plot 1,674,889€ (apo 24% e totalit të shpenzimeve kapitale) kanë shkuar për pagesa përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, të cilat lidhen me pagat jubilare, shujtat dhe shpronësimet.

Sipas Rregullës për Prokurim Publik, menaxherët e kontratave janë të obliguar të sigurojnë që punët të kryhen në kohë. Auditori ka identifikuar dy raste të mëdha ku plani dinamik ka dështuar plotësisht:

Fushat Sportive në Magure dhe Dobraje të Madhe (Faza e dytë): * Vlera e kontratës: 1,198,386€ (e nënshkruar më 07.06.2024).

Punët duhej të përfundonin brenda 200 ditëve, më së largu deri më 31.03.2025. Pas vonesave dhe dy amandamentimeve të kontratës për shtyrje afati, deri më 20.08.2025 ishin realizuar vetëm 89% e punëve (1,066,534€).

Ndërtimi i nënkalimit, vazhdimi i sheshit, parku qendror dhe parkingu nëntokësor:

Vlera e kontratës: 6,127,777€ (e nënshkruar më 19.09.2023).

Punët duhej të përfundonin brenda 300 ditëve, më së largu deri më 15.08.2025. Edhe në këtë projekt afati u shty dy herë përmes amandamentimeve. Deri në fund të vitit (31.12.2025), punët kishin arritur në 96% (5,820,921€), duke mbetur ende i papërfunduar.

Përkundër faktit se në të dyja këto projekte madhore janë vërejtur vonesa të qarta në realizimin e punëve sipas kontratave bazë, komuna nuk ka aplikuar asnjë masë ndëshkuese (penale) ndaj operatorëve ekonomikë, duke shkelur rregullat e prokurimit publik dhe duke dëmtuar interesin e institucionit.

ZKA identifikon 16 raste ku projektet u menaxhuan jashtë sistemit elektronik; menaxhmenti pranon gjetjet

Raporti ka zbuluar se komuna ka anashkaluar rregullat e prokurimit elektronik, duke i menaxhuar kontratat publike jashtë platformës zyrtare të internetit. Kjo shkelje prek dy nga kategoritë më të rëndësishme ekonomike: mallrat e shërbimet dhe investimet kapitale.

Sipas Rregullores nr.001/2022 për Prokurimin Publik (Neni 70.2 dhe 70.24), vlerësimi i performancës së kontraktuesve dhe të gjitha regjistrat e menaxhimit të kontratave duhet të përgatiten, mbahen dhe arkivohen në mënyrë të detyrueshme përmes modulit për menaxhimin e kontratave në sistemin e prokurimit elektronik (e-Prokurimi).

Përkundër këtij obligimi ligjor, auditori ka identifikuar se:

Në 16 raste, menaxherët e kontratave dhe projekteve nuk e kanë mbajtur menaxhimin e tyre përmes sistemit elektronik të prokurimit publik.

Ky problem ka ardhur si rezultat i pastër i dështimit të vetë menaxherëve për t’i ikur formës manuale dhe për t’u përshtatur me platformën digjitale.

Sipas ZKA-së, mosmenaxhimi i kontratave përmes e-Prokurimit çon në një proces jo efektiv. Kjo formë ia pamundëson menaxhmentit të lartë të komunës që të marrë informata në kohë reale mbi progresin e punëve dhe performancën reale të kompanive që kryejnë punë publike.

Auditori ka kërkuar nga Kryetari i Komunës që të urdhërojë të gjithë menaxherët e projekteve që pa përjashtim t’i kalojnë kontratat në platformën e-Prokurimi.

Sa i përket kësaj gjetjeje, në fund të dokumentit citohet se menaxhmenti i komunës është pajtuar plotësisht me gjetjet e auditorit.

Shkollat e ndërtuara që 11 vjet figurojnë ende “në vijim”: ZKA zbulon mbivlerësim pasurie mbi 236 mijë euro në Lipjan

ZKA ka konstatuar se Komuna e Lipjanit ka mbivlerësuar pasurinë e saj për 236,145 euro. Shkak për këtë është bërë lënia e tri objekteve shkollore në kategorinë “investime në vijim”, ndonëse ato kanë përfunduar që nga viti 2015 dhe janë plotësisht funksionale.

Në Pasqyrat Financiare Vjetore, vlera e paraqitur e pasurive kapitale të komunës kap shifrën prej 148,468,583€, e pasurive jokapitale 511,280€, ndërsa vlera e stoqeve është 157,554€.

Sipas rregullores në fuqi, objektet që përfundojnë duhet të kalojnë si pasuri në përdorim dhe t’u nënshtrohen zhvlerësimit (amortizimit). Auditori gjeti se për tri shkolla të ndërtuara në vitin 2015, kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së pranimit teknik:

Shkolla në Kraishtë (Vlera: 285,442€) – Mbivlerësim prej 71,360€ (për periudhën 2015-2025).

Shkolla në Bujan (Vlera: 350,000€) – Mbivlerësim prej 87,500€ (për periudhën 2015-2025).

Shkolla në Banullë (Vlera: 309,142€) – Mbivlerësim prej 77,286€ (për periudhën 2015-2025).

Ky ngatërrim kontabël ka ndodhur sepse Ministria e Arsimit nuk ka bashkëpunuar për pranimin teknik dhe nuk ka ofruar dokumentacionin përfundimtar për këto projekte ku ishte bashkëfinancuese.

Si rrjedhojë, pasqyra kontabël e komunës nuk reflekton gjendjen reale dhe vlerën e saktë të pasurive të saj, duke i paraqitur ato më të larta se sa janë në të vërtetë.

Miliona euro të paarkëtuara: Komuna dështon të mbledhë borxhet e tatimit në pronë dhe qirave

Auditori ka zbuluar se komuna ka treguar pasivitet dhe mungesë veprimesh ligjore për të mbledhur miliona euro që qytetarët dhe bizneset ia kanë borxh institucionit.

Sipas Pasqyrave Financiare 2025, vlera totale e llogarive të arkëtueshme kap shifrën 6,559,600€:

Tatimi në pronë: Borxh prej 6,460,826€.

Qiratë e pronave: Borxh prej 68,514€.

Shpronësimi i tokës: Borxh prej 30,260€.

Në testimin e 14 faturave të tatimit në pronë (vlera 47,272€) dhe 9 faturave të qirave (vlera 45,756€), komuna nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor për mbledhjen e tyre.

Për shkak të kësaj neglizhence, borxhi i përgjithshëm është rritur për 784,778€ krahasuar me vitin paraprak.

Ligji i jep komunës dhe përmbaruesve autoritet për mbledhje të dhunshme të borxheve mbi 10€, por komuna ka dështuar të krijojë një strategji të tillë.

Rrjedhimisht, kjo situatë sipas ZKA-së dëmton drejtpërdrejt buxhetin e komunës, duke reduktuar fondet për projekte të reja kapitale (rrugë, shkolla, infrastrukturë).

Auditori ka urdhëruar Kryetarin e Komunës që të forcojë kontrollet e brendshme dhe të hartojë urgjentisht një strategji efektive për mbledhjen e detyrimeve, duke përfshirë edhe masat përmes përmbaruesve.



Për të adresuar këto shkelje, Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë 12 rekomandime për komunën, prej të cilave 4 janë rekomandime të reja, 7 të përsëritura nga vitet e kaluara dhe 1 pjesërisht i përsëritur

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark