×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas 15 milionë € të Sveçlës, biznesmeni nga Shqipëria merr edhe 700 mijë sosh nga Vitia

    Insajderi
    17 June 2023 - 09:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania Infosoft System, e regjistruar në Kosovë, vazhdon të marrë tenderë nga pushtetarët e Lëvizjes Vetëvendosjes, ndonëse pas pronarit të saj, Grigor Joti fshehet një “mal” me dallavere në fushën e prokurimit publik në Shqipëri, atje ku e ka selinë qendrore.

    Infosoft System është shpërblyer në muajin qershor të këtij viti nga Ministria e Shëndetësisë me një tender që kap shifrën e mbi 700 mijë eurove. Dikasteri që udhëhiqet nga Arben Vitia i VV-së i ka besuar operatorit mirëmbajtjen e 70% të Hardwerit të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), që konsiderohet baza e sigurimeve shëndetësore.

    Hardware i referohet pajisjeve të jashtme dhe të brendshme që mundësojnë të kryhen funksione kryesore si hyrje, dalje, ruajtje, komunikim, përpunim dhe më tepër se kaq.

    Shpërblimi me tender mbi gjysmë milion euro i Infosoft nga Ministria e Shëndetësisë vjen pak muaj pasi e njëjta kishte arkëtuar mbi 15 milionë sosh nga dikasteri tjetër, ai i Punëve të Brendshme që drejtohet nga Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes.

    Tenderi multi-milionësh i Sveçles, i ishte dhënë në fshehtësi kompanisë përmes procedurës së negociuar, duke i qitë jashtë gare kompanitë tjera të kësaj fushe që do të mund të aplikonin për të fituar kontratën.

    Përdallim nga tenderi i Sveçlës, në këtë të Arben Vitisë u përdor procedura e hapur. Megjithatë kishte veç një aplikues, Infosoft, që edhe e fitoi kontratën në fund.

    Historia e errët mbrapa aksionarit të kompanisë

    Pronari i kompanisë Infosoft, Grigor Joti, që ministri Arben Vitia i dha tender mbi gjysmë milionë euro, akuzohet për mashtrime pikërisht në fushën e prokurimit publik në Shqipëri.

    Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kishte ngritur kallëzim penal në vitin 2022 ndaj tij. Aty thuhej se Grigor Joti ka përvetësuar 4.5 milionë Euro, me lëshim faturash tatimore false për TVSH e shitjes së cigareve.

    Këto fatura, janë lëshuar nga dy bizneset fantazmë, “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE& DISTRIBUTION ” të Grigor Jotit.

    Për 4.5 milionë Euro që dy firmat e Grigor Jotit të “InfoSoft” i kanë vjedhur shtetit me mashtrim tatimor, prokuroria e Tiranës ka konstatuar se faturat hartoheshin nga vëllai i tij Roland Joti, nga familjarja e tyre Ana Zervoi administratore dhe dy punonjës të firmave përkatëse.

    Faturat janë lëshuar në emër të një subjekti privat me emrin “Lindita Spaho” e Nipt: L322170441I;, e cila sipas regjistrit të tatimeve, rezulton e vetëpunësuar shitëse në treg, jashtë detyrimit të taksimit me sistemin e TVSH, raportojnë mediet shqiptare.

    Joti i shpëtoi në mënyrë të pakuptueshme kallëzimit të KLSH-së për falsifikim faturash. Gjykata e Tiranës nuk e çoi rastin në Dhomë Penale për fillim procedure gjykimi.

    Biznesmeni Joti aksionet e firmës Infosoft ia ka kaluar Frederik Prodanit dhe Gëzim Dobit.

    Kjo lëvizje, sipas mediave shqiptare, bëhet për të fshehur gjurmët.

    Gjithsesi në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ai vazhdon të jetë anëtar bordi në këtë firmë. Kjo do të thotë se Joti është drejtuesi dhe mbikëqyrësi kryesor i këtyre operacioneve financiare.

    FITUESJA

    Fituesja e tenderit – Infosoft Systems – figuron e regjistruar si kompani në Kosovë që prej 2014-s. Megjithatë, selia e saj kryesore ndodhet në Tiranë, sipas informatave në internet.

    Si aktivitet primar, kompania e ka teknologjinë informative dhe aktivitetet shërbyese kompjuterike.

    Kurse si sekondar, tregtinë me shumicë të makinerive dhe pajisjeve të tjera të zyrave./Front Online/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark