Justin Bieber është raportuar se është “i tronditur plotësisht” nga skandali që rrethon ish-mentorin e tij, reperin Sean “Diddy” Combs (i njohur ndryshe si P. Diddy), i cili është akuzuar për përdhunim, tregti njerëzish dhe drejtimin e një organizate kriminale.
“Justinit i është këshilluar të qëndrojë sa më larg nga çdo gjë që lidhet me Diddy-n”, tha një burim për revistën US Weekly. Sipas të njëjtit burim, Bieber, i cili në gusht mirëpriti në jetë fëmijën e tij të parë me gruan Hailey, dëshiron të mbrojë veten në mes të këtij skandali që lidhet me Diddy-n dhe festat e tij ku janë parë shumë fytyra të njohura.
Një burim tjetër ka deklaruar se Bieber është në një gjendje të vështirë mendore. “Ai ka një histori me Diddy-n dhe akuzat ndaj reperit janë të vështira për t’u përballuar”, tha burimi, duke shtuar se Bieber aktualisht është më i fokusuar te djali i tij Jack.
“Ai është plotësisht i tronditur nga skandali dhe nuk dëshiron të ketë asgjë të përbashkët me këtë situatë. Kjo është pjesë e së kaluarës së tij dhe dëshiron që të mbetet aty. Gëzimi që ndien si baba është më i fortë se ankthi për Diddy-n”, theksoi burimi.
Bieber arriti famë në moshën vetëm 14-vjeçare. Në vitin 2008, ai nënshkroi një kontratë me shtëpinë e diskografike të mentorit të Diddy-t, Usher, e cila shënoi fillimin e miqësisë së tij me reperin.
Pas arrestimit të reperit, në internet kanë qarkulluar video të vjetra të interaksioneve të tyre. Në një video, Diddy, atëherë 40 vjeç, shprehet se dëshiron që 15-vjeçari Bieber të qëndrojë te ai.
Në një intervistë të vjetër në shfaqjen e Jimmy Kimmel, ai pyeti Diddy-n nëse do t’i dhuronte Bieber-it një ‘Lamborghini’, ashtu siç kishte bërë me djalin e tij. “Ai e mori ‘Lamborghinin’ brenda një ose dy ditëve dhe kishte akses në shtëpinë time. Justin e di se nuk duhet të flasë për gjërat që bën me ‘vëllain’ e tij më të madh Puff (Diddy ka performuar më parë si Puff Daddy) në televizionin kombëtar. Nuk është gjithçka për të gjithë”, u përgjigj reperi.
Diddy është arrestuar nga agjentët federalë në New York dhe është ngarkuar me akuzat për abuzim seksual ndaj grave, duke i detyruar ato të merrnin pjesë në festa seksuale dhe përdorimin e drogës me kërcënime dhe dhunë. Ai ndodhet në paraburgim dhe gjykatësi i ka refuzuar lirinë tre herë.
Një grup prej 120 personash po planifikon të padisë Diddy-n, nga të cilët 25 ishin të mitur në kohën e incidenteve që çuan në paditë. Njëra nga këto raste përfshin një person që thuhet se ishte vetëm nëntë vjeç kur ndodhi abuzimi. Një avokat që do të përfaqësojë këta individë ka raportuar se gjithsej 3280 persona kanë pretenduar se janë abuzuar nga reperi.
Brenda 24 orëve, janë raportuar madje 12,000 persona të mundshëm si viktima dhe dëshmitarë.
Diddy gjithashtu ka mohuar të gjitha akuzat.