×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Pas Hulumtimit të Insajderit për parregullsi në konkursin në SHKK, Haxhiu thotë se rastin e ka dërguar në polici

    Insajderi
    13 April 2022 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk është në kompetencë të saj të anuloj konkursin për zyrtarë korrektues në Shërbimin Korrektues, ndonëse ka ankesa për shumë parregullsi përgjatë konkursit.

    Gazeta Insjaderi raportoi se ka dyshime se disa kandidatë kanë dhënë edhe para që të punësohen si zyrtarë korrektues. Për këto pretendime nga kabineti i ministres Haxhiu thonë se deri me tani nuk është dërguar ndonjë provë.

    Po ashtu përmes një përgjigje për Insjaderin, Ministria e Drejtësisë konfirmon se është njoftuar edhe Policia e Kosovës lidhur me këto pretendime.

    “Deri tani ende nuk na është dërguar provë lidhur me pretendimet. Po ashtu lidhur me të njëjtat, është njoftuar policia si autoritet i vetëm dhe i mandatuar për adresimin e informacioneve te tilla”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Drejtësisë.

    Insajderi ka pyetur ministrinë edhe për takimin që dy kandidatët të cilat u deklaruan për Insajderin se kanë takuar ministren Haxhiu dhe e kanë njoftuar për parregullsitë.

    Në përgjigjen e tyre thuhet se Haxhiu ka pranuar në takim dy kandidatët, Valjeta Krasniqi dhe Fatlume Ademi dhe ka dëgjuar ankesat e tyre.

    “Gjatë takimit, dy kandidatet kanë shprehur vërejtjet lidhur me procesin e rekrutimit dhe kanë kërkuar që Ministrja të vendosë për të njëjtin, me ç’ rast iu është bërë me dije që ky është tejkalim i kompetencave dhe se në asnjë rast nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në proceset rekrutuese apo lidhur me ankesat e kandidateve. Gjithashtu, palët janë udhëzuar që pretendimet e tyre t’i adresojnë në Shërbimin Korrektues të Kosovës”, thuhet në përgjigje..

    Ndërsa lidhur me dyshimet për marrje të ryshfetit, Ministria i ka inkurajuar kandidatët që t’i drejtohen policisë dhe të ofrojnë prova.

    “Po ashtu lidhur me pretendimet e tyre që dikush ka dhënë para për punësim, Ministrja i ka inkurajuar që për këtë informatë të drejtohen në polici ose dëshmitë t’i dërgojnë te kabineti për përcjellje të mëtejme në polici po ashtu e kemi përcjellë edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës, i cili po ashtu përmes komunikatës së datës 09.04.2022 ka kërkuar që kushdo që ka informacione për parregullsi, të drejtohet tek organet kompetente”.

    Në fund të përgjigjes thuhet se Ministrja Haxhiu, nuk ka mandat as për hapjen por as edhe për anulim të konkursit në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

    Disa ditë pas publikimit te skandalit të punësimeve të militanteve e familjareve të zyrtareve të VV-së në KEK, Insajderi sjell hulumtimin për militantët tjerë të punësuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

    Insajderi ka zbuluar se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë shkelje ligjore për të punësuar militantet e Lëvizjes Vetëvendosjes. Shërbimit Korrektues që operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka pranuar në punë 50 veta në muajin janar.

    Hulumtimi i Insajderit për punësimet e dyshimta në Shërbimin Korrektues vjen disa ditë pas publikimit të hulumtimit nga Insajderi për skandalin e punësimeve ne Korporatën Energjetike të Kosovës, ku u punësuan dhjetëra militantë e familjare të zyrtarë te partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Pas publikimit të këtij hulumtimi për parregullsi dhe manipulime me listën e kandidatëve të pranuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku u zbulua se ishin favorizuar militantë të partisë në pushtet, kanë shpërthyer ankesat nga kandidatët që s’janë pranuar. Katër nga këto ankesa janë raportuar në hulumtim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark