Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka përfunduar një proces gjyqësor që kishte nisur rreth katër vjet më parë, pas një kallëzimi penal të ngritur ndaj disa zyrtarëve të Federatës.
Sipas FSSHK-së, kallëzimi penal ishte parashtruar nga ish-kryetari i Federatës, Dr. Blerim Syla, dhe ish-nënkryetari, Dr. Xhemajl Selmani, pas përfundimit të Kongresit të IV të FSSHK-së.
Në kallëzim ishin ngritur pretendime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, manipulim me prova, falsifikim të dokumenteve, cenim të së drejtës për të kandiduar, legalizim të përmbajtjes së rreme, pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare dhe asgjësim të dokumenteve të votimit.
FSSHK thotë se kallëzimi penal është hedhur poshtë dy herë nga organet kompetente, pasi nuk është gjetur bazë e mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale.
Federata pretendon se procesi i gjatë ka ndikuar në imazhin e saj dhe në raportet brenda anëtarësisë sindikale.
“Ky proces ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në imazhin dhe reputacionin e Federatës, ka ndikuar në zbehjen e raporteve dhe besimit brenda anëtarësisë sindikale, si dhe ka reflektuar negativisht në raportet me partnerët institucionalë dhe partnerët për dialog social”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.
Federata ka veçuar edhe punën e dy zyrtarëve të saj ligjorë, për të cilët thotë se gjatë këtyre katër viteve kanë mbrojtur interesat e FSSHK-së dhe të zyrtarëve të saj.
Ndërkohë, FSSHK ka bërë të ditur se do t’u qëndrojë pranë personave të përfshirë në këtë proces dhe do të shqyrtojë mundësinë e ndjekjes së procedurave civile ndaj dy parashtruesve të kallëzimit penal.
Sipas Federatës, këto procedura do të mund të lidhen me kërkesën për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial të pretenduar.
“Pas katër viteve të një procesi të gjatë, FSSHK konsideron se tash është koha që energjia të përqendrohet në rikthimin e besimit, fuqizimin e unitetit sindikal dhe mbrojtjen e interesave të anëtarësisë”, thuhet në fund të njoftimit.
FSSHK ka shtuar se çdo përgjegjësi eventuale do të kërkohet dhe vlerësohet përmes institucioneve kompetente.