Komuna e Suharekës ka anuluar tenderin e mbi 100 mijë eurove, të cilin ia dha një javë më parë Organizatës joqeveritare të themeluar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani, i cili gjendet në paraburgim tash e tre ditë nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Anulimi i kontratës erdhi pas raportimit të Gazetës Insajderi gjatë ditës së djeshme.
Në vendimin për anulimin e kontratës thuhet se ka ndodhur një shkelje në Ligjin e Prokurimit Publik, e cila nuk mund të rregullohet ose parandalohet, dhe sipas ligjit aktiviteti duhet të ndalohet.
Tutje, në vendim thuhet se tenderi anulohet për shkak të një ngjarje të paparashikueshme në Komunën e Suharekës.
Dje, Insajderi ka raportuar se me 15 gusht 2023, Komuna e Suharekës ka shpallur fitues të tenderit për “Shërbime profesionale të zjarrfikëseve”, Organizatën joqeveritare “Shoqata e Zjarrfikësve Vullnetar dhe Shpëtimit“.
Vlera e kontratës që u nënshkrua është 119,520 euro.
Drejtor ekzekutiv i i organizatës është Labinot Bytyçi, por njëri nga tre themeluesit e saj është drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani.
Në letrën për dhënien e tenderit thuhet se ky ishte çmimi më i ultë që është dorëzuar për ta kryer shërbimin e kërkuar nga komuna.
Po ashtu bëhet e ditur se dhënia e kontratës është e përkohshme.
Ndryshe, me 22 gusht 2023, Policia e Kosovës ka arrestuar Enver Shabanin drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashi zyrtar në drejtorin e shërbimeve publike/menaxher i kontratës. Arrestimi i tyre ka ardhur pas raportimit të Gazetës Insajderi për tenderin për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht.
Dje, Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar Shabanit dhe Kabashit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Shabani dhe Kabashi dyshohet se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.
Sipas Prokurorisë ata dyshohet se me këto veprime i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër.
“Të pandehurit: Berat Kabashi dhe Enver Shabani prej datës 18.05.2022 deri ma datë 12.12.2022 në Suharekë duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë duke shfrytëzuar detyrën nuk i përmbushin detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfardo dobie për vete dhe personat e tjerë“, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë Insajderi.
Gazeta Insajderi në prill kishte raportuar se në mars të 2023 ishte hapur tenderi për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht, ani pse për të njëjtat rrugë ishte lidhur kontrata në vlerë prej 72 mijë eurove vitin e kaluar.
Kompania e kontraktuar për të kryer punimet në këto rrugë ishte “SEFERI-CO” sh.p.k. Edhe pse pagesa u krye për operatorin ekonomik, rrugët Rexhep Velia, Tafa, Jetush Shala, Haxhi Shania janë ende të pashtruara.
Saktësisht me datën 17 prill 2022, Komuna e Suharekës kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 72 mijë e 213 eurove për ndërtimin e rrugëve të përmendura më sipër.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj deklaroi se nuk ishte në dijeni për arrestimin e dy zyrtarëve të tij. Ai u shpreh se si komunë do t’i respektojnë institucionet e Kosovës dhe vendimet e tyre.
Lexo edhe: