Prokuroria Themelore e Pejës, ka nisur hetimet pas raportimit të Gazetës Insajderi “40 euro një votë”– Video dhe audiopërgjimi që dëshmojnë krimin zgjedhor.
Ky raportim lidhet me dyshimet për blerjen e votave në emër të ish-kandidatit për deputet Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike (IRDK). Krasniqi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit është emëruar ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Pejës.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, me t’u vënë në dijeni lidhur me mundësinë e veprimeve të kundërligjshme që kanë të bëjnë me të drejtat e votimit, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme për rastin që keni bërë pyetje, duke autorizuar Policinë e Kosovës dhe duke kërkuar sigurimin e të gjitha të dhënave të cilat nevojiten për vërtetimin e fakteve relevante në këtë çështje penale”, tha zëdhënësi i prokurorisë tha Shkodran Nikçi.
Prokuroria ka kërkuar materialet e publikuara nga Gazeta Insajderi, për çështjen e hetimit.
“Prokurorja e rasti, Valbona Disha Haxhosja, ndër tjera ka kërkuar nga Gazeta Insajderi, sigurimin e të gjitha incizimeve të publikuar në këtë medium, e që kanë të bëjnë me këtë çështje”, tha Nikçi.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje me tepër me rastin, nëse në hetim është edhe ministri Elbert Krasniqi.
“Për momentin nuk mund të japim informacione me të hollësishme për mos ta dëmtuar zhvillimin e suksesshme të hetimit”, tha Nikçi.
Gazeta Insajderi, në muajin mars të këtij viti publikoi dëshmi me video e audio, se si janë blerë votat për Iniciativën e Re Demokratike (IRDK), që drejtohet nga Elbert Krasniqin.
Bazuar në këto materiale dyshohet se 40 euro është blerë një votë për përfaqësuesin e komunitetit egjiptas. Kështu, Elbert Krasniqi kishte siguruar përsëri një ulëse në Kuvendin e Kosovës e që me formimin e qeverisë Kurti II, ai u emërua Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Siç raportoi Insajderi, sipas kësaj audio dhe maaterialeve tjera zbulohej ekzistimi i një rrjeti të gjerë të blerjës së votave për interes të Iniciativës së Re Demokratike, (IRDK).
Pjesë e këtij grupi ishte edhe vëllai i njërës nga kandidatet për deputete të kësaj iniciative.
Sipas dëshmive Elvis Halimaj, kishte blerë votat e qytetarëve për partinë e Elbert Krasniqit nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe motrën e tij, kandidaten me numrin 18 të kësaj iniciative, Albiona Halimaj.
Në emër të Elbert Krasniqit, Elvisi ka kërkuar votat e 5 anëtarëve të një familje në këmbim të parave.
Qytetari votat e të cilit dyshohet se i bleu Halimaj, fillimisht i thotë t`ia dërgoj 100 euro e pastaj “goditemi”. Halimaj e siguron se kush voton për këtë parti i merr 40 euro për një votë.
“Nëse osht qashtu na 5 veta jena”, i përgjigjet qytatari.
“Kush mi jem mue 200 euro nëse votojnë 5 veta”, iniston të dijë ai.
Halimaj, sipas bisedave të siguruara nga Insajderi, mundohet ta bindë qytaterin se paratë do t`i marr patjetër edhe atë përmes motrës së tij.
“Bone IRDK edhe nr 18. Unë i tham motres teme edhe zatetesh në Istog e ti jep valla”, i thotë Elvisi qytatarit me të cilin bënë pazar për pesë vota.
Për ta quar punën deri në fund, Elvisi kërkon që anëtarët e familjës së këtij qytetari ta dëshmojnë me foto votën për IRDK-në e Elbert Krasniqi dhe kandidaten Albiona Halimaj.
“Nëse mundesh me ba foto me pa ai njeri se pagun ai se une te besoj ty”, i thotë ai.
Pas publikimit të hulumtimit nga Gazeta Insajderi, pati reaguar vet Krasniqi, duke u distancuar dhe kërkuar hetime nga organet kompetente.
“Ne distancohemi nga secili anëtar që del jashtë kornizave demokratike me veprimet e tij ose të saj. Keqpërdoruesit, kushdo e kudo qofshin, duhet të përgjigjen para ligjit. E, IRDK do vazhdojë të jetë parti e vlerave njerëzore dhe demokratike”, thoshte Krasniqi./Gazeta Insajderi/