Vjen lëvizja e parë e Juventusit drejt Paul Pogba, pas rezultatit të kundër-analizës, e cila konfirmoi pozitivitetin e testit antidoping të kryer pas Udinese-Juventus më 20 gusht.
Klubi i Juventusit në fakt i ka dërguar francezit dhe avokatëve të tij një komunikim zyrtar për pezullimin e pagës aktuale: sipas rregullores, lojtarit do t’i garantohet vetëm minimumi federal nga marrëveshja kolektive, pra 42.477 euro bruto, afërsisht 2 mijë euro neto në muaj .
Pogba është pezulluar gjithashtu, si masë paraprake nga Gjykata Kombëtare Anti-Doping. Deri të premten mesfushori francez mund të vendosë, nëse do të kërkojë të merret në pyetje nga prokurori i antidopingut, apo do të dërgojë dokumentet e mbrojtjes, me qëllim që të evidentojë paqëllimshmërinë e pozitivitetit.
Lojtari rrezikon deri në katër vjet skualifikim, i cili mund të reduktohet në dy në rast të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë. Në rast dënimi, Juve do të mund të ndërpresë edhe kontratën, e cila skadon më 30 qershor 2026.
Kundëranaliza ka treguar se substanca e gjetur në trupin e francezit nuk është testosteroni, por Dhea (akronim për dehydroepiandrosterone), një hormon steroid endogjen natyral, i njohur zakonisht si “hormoni i rinisë”. Megjithatë, është një substancë e klasifikuar si doping, por e pranishme në shumë produkte në treg jashtë Italisë. Një pikë që mund të ndihmojë mbrojtjen e francezit.