Nxënësit e shkollës së mesme elektroteknike “Gjin Gazulli” do të kenë mundësi të realizojnë
punë praktike falë marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet PBC Academy dhe shkollës së tyre.
Kjo është vetëm njëra nga pikat e kësaj marrëveshjeje. Në të përfshihet edhe shkëmbimi i
përvojave me qëllim të fuqizimit të politikave edukativo – arsimore, sociale si dhe emancipimin
e studentëve.
“Përmes këtij bashkëpunimi synohet zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet shkollave, duke u
bazuar në përcaktimin e programeve të përbashkëta në realizimin e pjesës praktike të nxënësve,
për mbrojtjen e interesit të nxënësve për zhvillimin e njohurive të reja respektivisht atyre
praktike”, thuhet në marrëveshje.
Drejtori i kësaj shkolle, z. Bujar Gjocaj, falënderoi PBC Academy për gatishmërinë që gjithmonë
shpreh për t’i ndihmuar nxënësit në aspektin e shkollimit profesional.
Nga ana tjetër, koordinatorja për cilësi në PBC Academy, znj. Sabina Llaptashtica, tha se është
nder dhe kënaqësi për këtë akademi të kontribuoj në shkollimin e të rinjve.
“Qëllimi i PBC Academy është edukimi i të rinjve për fushën e Teknologjisë së Informacionit
dhe Komunikimit dhe përgatitja e tyre për tregun e punës. Prandaj, sigurimi i punës praktike
është njëra ndër mundësitë e shumta që kjo akademi ofron për aftësimin profesional të tyre”, ka
thënë ajo.
Kjo marrëveshje hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit dhe nuk ka kohë të kufizuar të implementimit të saj.