×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    PDK do t’a çojë në Kushtetuese punën e shtrenjtimit të rrymës: Supremja u ndikua nga Qeveria

    Insajderi
    17 June 2022 - 15:51

    Partia Demokratike e Kosovës ka organizuar sot një konferencë për media pasi Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë ZRRE-së për tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike dhe ka anuluar vendimet e Apelit dhe Themelores që i kishin dhënë të drejtë PDK-së në kërkesën e tyre.

    Nga PDK-ja thonë se një vendim i tillë i Gjykatës Supreme është i ndikuar politikisht dhe se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

    Kështu kanë thënë sot në një konferencë për media zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu dhe avokati, Faton Fetahu.

    “Të dyja këto gjykata kanë qenë të një mendimi se kjo rritje është bërë edhe në kundërshtim me ligjin edhe në kundërshtim me përpjekjen tashmë të munguar – që qytetari i Kosovës të mbrohet nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ne e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga Qeveria aktuale. Gjykata Supreme duket se ka qenë e prirur nga interesa të tjera klanore, karieriste dhe posaçërisht politike.”, ka thënë Abdullahu.

    Sipas zëdhënësit të PDK-së, po të mos ishte kështu e ndikuar, do të vendoste ashtu sikundër do ta udhëzonin normat dhe ligjet në fuqi dhe ashtu siç kanë vendosur tashmë Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.

    “Në kohën kur çmimet e artikujve bazik janë rritur papërballueshëm dhe ato vazhdojnë të mos kenë të ndalur në rritje. Në kohën kur inflacioni po rritet ashtu si kurrë më parë në këto vitet e fundit, muajin e fundit që lamë, pra në maj, inflacioni është 12.5 %. Në kohën kur një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës sidomos të rinjtë mendojnë më seriozisht se kurrë që në mundësinë e parë ta lënë Kosovën për të këkruar punë jashtë vendit, vendimi i Gjykatës supreme është vendim i padrejtë për nga mungesa e sensit për të kuptuar se si jeton qytetari i Kosovës, për nga mungesa e profesionalizmit, profesionalizëm ky që bije viktimë e politikës arrogante që mendon se drejtësia në politikë e qeveri është mbi drejtësinë në Gjykata”, ka thënë Abdullahu.

    Më tej, ai ka shtuar se  Partia Demokratike e Kosovës do ta vazhdojë angazhimin e saj rreth kësaj teme.

    “Ne do të gjejmë forma të mundshme juridike për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë.”, ka përfunduar Abdullahu.

    Ndërkaq, në anën tjetër, avokati Faton Fetahu ka thënë se ky është një vendim i padëgjuar në vendimmarrjet gjyqësore të sistemit të Kosovës.

    “Është kusht që Gjykata Supreme ti vlerësoj tri kushte para një vendimi dhe këtë nuk e ka bërë. Një prej këtyre kushteve është vlerësimi se a është ai vendim në dëm të interesit qytetar. Prandaj, Gjykata nuk e ka bërë punën e saj në pajtim me ligjin, duke rënë ndesh me disa parime të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Supreme, me keqardhje e them, duket se e kishte të gatshëm këtë vendim.”, ka thënë avokati Fetahu.

    Më tej, ai ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës tani do ta dërgoj këtë vendim për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

    “Tashmë, i autorizuar nga PDK-ja, unë kam filluar procesin e shqyrtimit të këtij vendimi dhe të njëjtin do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese brenda dy javëve të ardhshme.”, ka përfunduar Fetahu.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark