Insajderi
Lajme

PDK: Kushtetuta nuk është pazar politik, çështjen do ta dërgojë në Kushtetuese

Insajderi
13 September 2026 - 10:03
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
PDK: Kushtetuta nuk është pazar politik, çështjen do ta dërgojë në Kushtetuese
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë më pjesë në seancat për konstituimin e Kuvendit, duke paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Në një komunikatë të publikuar të dielën, PDK-ja ka thënë se procesi i konstituimit ka hyrë në një fazë ku, sipas saj, nevojitet qartësi nga Gjykata Kushtetuese, pas tejkalimit të afateve dhe dështimit të disa seancave, shkruan Insajderi.

Sipas PDK-së, Kuvendi është dashur të konstituohet brenda 30 ditësh, përkatësisht deri më 7 gusht, duke u thirrur në Kushtetutë dhe në Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese.

PDK pretendon se Vetëvendosje e ka tejkaluar këtë afat dhe më pas ka caktuar 6 shtatorin si afat të ri, i cili gjithashtu nuk është respektuar.

PDK-ja thotë se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit me synimin që të përfundonte konstituimi i Kuvendit. Megjithatë, sipas saj, të dyja seancat u bllokuan për shkak të mospajtimeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.

Në deklaratë, PDK-ja thotë se e kishte mbështetur kandidatin e LVV-së për nënkryetar, ndërsa pretendon se LVV-ja nuk e kishte votuar kandidaten e PDK-së për këtë pozitë.

PDK-ja e lidh situatën aktuale edhe me zgjedhjen e presidentit, duke kundërshtuar që votat e opozitës për presidentin të përdoren si kusht për përfundimin e konstituimit të Kuvendit.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik”, thuhet në deklaratë.

Sipas PDK-së, konstituimi i Kuvendit është obligim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit.

Partia ka bërë të ditur se ekspertët e saj janë duke përgatitur rastin që do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar qartësi për gjithë procesin.

“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, thuhet në deklaratë.

PDK-ja e ka përmbyllur qëndrimin e saj duke kërkuar që të ndalen, siç i quan ajo, “afatet e shkelura, kushtet e reja dhe pazaret politike”, duke insistuar që për situatën e krijuar të vendosë Gjykata Kushtetuese. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark