Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur një tubim me simpatizantët e saj në qytetin e Prizrenit. Mirëpo kjo fushatë parazgjedhore e PDK-së është mbajtur në kundërshtim me masat anti-covid.
Ata janë mbledhur më shumë se 50 persona në sallën e dasmave “Rexos”, në pronësi të vëllaut të kandidatit për deputet nga kjo parti, Kadri Kryeziu, shkruan Gazeta Insajderi.
Në kundërshtim me rekomandimet e institucioneve botërore të shëndetësisë për parandalimin e pandemisë COVID-19, Enver Hoxhaj kandidat për kryeministër, ka vazhduar fushatën e tij elektorale me qindra të pranishëm në një ambient të mbyllur në Prizren, në kohë pandemie.
Kësisoj, PDK-ja po rrezikon shëndetin e qytetarëve duke i grumbulluar qindra prej tyre në ambiente të mbyllura.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka evidentuar si problem qëndrimin e njerëzve në ambiente të mbyllura gjatë kohës së pandemisë. OBSH-ja e ka shpallur vitin e kaluar pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
Por përveç PDK-së, edhe partitë e tjera kanë shkelur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare masat anti-COVID të institucioneve të Kosovës. /Insajderi.org