Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Fushë Kosovë ka ngritur dyshime për një bashkërendim mes anëtarit të Listës Serbe dhe përfaqësuesve të pushtetit në Kuvendin Komunal, Lëvizjes Vetëvendosje.
PDK në Fushë Kosovë ka thënë se në seanca të njëpasnjëshme, anëtari i Listës Serbe ka votuar në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e pushtetit, shkruan Insajderi.
Sipas PDK-së, kjo është vërejtur në pikat e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa situata, siç pretendojnë nga kjo parti, ndryshon kur bëhet fjalë për propozime që lidhen drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve.
PDK ka marrë si shembull propozimin e saj për mbështetje prej 100 eurosh për familjet që kanë më shumë se një fëmijë në kopshte private.
Sipas tyre, ky propozim nuk e ka marrë votën e anëtarit të Listës Serbe, i cili ka votuar në të njëjtën linjë me pushtetin.
“Është e çuditshme dhe njëkohësisht shqetësuese që në seanca të njëpasnjëshme të Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, anëtari i Listës Serbe po voton në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e pushtetit”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka ngritur pyetjen nëse kjo është thjesht rastësi në votim apo nëse, sipas saj, bëhet fjalë për një bashkërendim politik në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës.
“Qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi politike. Votat në Kuvend duhet të shërbejnë për interesin e qytetarëve, jo për interesa të pushtetit”, ka deklaruar PDK-ja. /Insajderi.org/