Insajderi
Lajme

PDK pas vendimit të Kushtetueses: Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të votojë ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Insajderi
23 September 2026 - 17:30
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
PDK pas vendimit të Kushtetueses: Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të votojë ndryshimet për Dhomat e Specializuara
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë.

PDK vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese u jep përgjigje shqetësimeve që kjo parti ka ngritur për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale.

Që nga muaji gusht, PDK ka kërkuar përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit. Sipas kësaj partie, vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të Kuvendit dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale, në një kohë kur qytetarët presin vendimmarrje për çështjet me rëndësi për vendin.

Në të njëjtën kohë, PDK ka kërkuar që kriza të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve.

“Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas vlerësimit të PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera.

Partia Demokratike e Kosovës thekson se Kuvendit i kanë mbetur edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e, sipas saj, të panevojshme.

PDK kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe që Projektligji për Dhomat e Specializuara të përfshihet si pikë e parë në rendin e ditës.

Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore përbën “prioritet kombëtar” në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark