×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    PDK: Pushteti ka rënduar jetën e qytetarëve

    Insajderi
    29 December 2023 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në konferencën e fundvitit ka evidentuar angazhimet e Grupit Parlamentar të PDK-së gjatë vitit 2023.

    Tahiri ka veçuar tri nga angazhimet më kryesore të cilat PDK i ka kundërshtuar, e të cilat sipas tij, kanë kaluar me insistimin dhe votën e Lëvizjes Vetëvendosje.

    “PDK e ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike mbi 115 %. Ne kemi propozuar edhe rezoloutë përmes së cilës kemi kërkuar që të rishikohet çmimi i energjisë, që po del të jetë i papërballueshëm për ekonomitë familjare të vendit tonë. PDK ka kundërshtuar edhe rritjen e tatimit në pronë me 100 %, si një tjetër vendim i kësaj shumice që ka rënduar jetën e qytetarëve tanë. Edhe për këtë temë PDK ka propozuar rezolutë dhe aktualisht është në rishikim ligji për tatimin në pronë. Dhe, çështja e tretë për të cilën PDK ka avokuar dhe të cilën ky pushtet e ka kundërshtuar, është heqja e TVSH-së për produktet esenciale ushqimore. Për të gjitha këto është angazhuar PDK, e të gjitha i ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje, duke rënduar jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Abelard Tahiri.

    Më tutje ai ka thënë se si rrjedhojë e humbjes së shpresës dhe rritjes së kostos së jetesës, fatkeqësisht, në tri vitet e fundit kemi një shifër alarmante të qytetarëve të cilët e kanë lëshuar Kosovën.

    Tahiri ka përmendur edhe rezolutën që PDK ka propozuar për të mbështetur Policinë e Kosovës, e të cilën Vetëvendosje nuk e ka pranuar.

    “Gjatë këtij viti, vendi ynë është sulmuar nga një grup terrorist nga Serbia, ku kemi parë një reagim tejet profesional të Policisë tonë. Për këtë arsye dhe të tjera, PDK ka propozuar një rezoloutë përmes së cilës ka kërkuar që për Policinë tonë të realizohen shtesat, pensionimi i parakohshëm dhe të buxhetohet për vitin tjetër sigurimi shëndetësorë për ta. Fatkeqësisht dhe padrejtësisht, Vetëvendosje e ka kundërshtuar edhe këtë rezolutë”, ka thënë ai.

    Tahiri ka përmendur edhe një numër të ligjeve dhe vendimeve që ka nxjerrë shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit tonë.

    “I kemi dërguar gjashtë ligje dhe tri vendime të shumicës parlamentare për kontestim në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani, për dy ligje kemi marrë përgjigje pozitive nga Gjykata Kushtetuese ndërsa katër ligje dhe tri vendime priten të procedohen në fillim të vitit tjetër”, ka thënë Tahiri.

    Gjithjashtu ai ka folur edhe për Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, i cili, sipas tij, është diskriminues për qytetarët e komunave të cilat nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.

    “Rreth 50 % e buxhetit për investime të reja kapitale ju është ndarë katër komunave të cilat udhëhiqen nga Vetëvendosje. Ky është diskriminim politik, i papranueshëm, sepse Qeveria duhet të jetë për të gjithë qytetarët e vendit”, ka thënë ai.

    Në fund të konferencës, Tahiri ka përmendur edhe aferat e mëdha korruptive në të cilat është përfshirë Qeveria, e të cilat PDK i ka kundërshtuar fuqishëm.

    E vetmja gjë pozitive që ka ndodhur gjatë vitit 2023, sipas Tahirit, është ligji për reformën zgjedhore, i cili është udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës – çka është njohur dhe vlerësuar nga të gjitha mekanizmat e Bashkimit Evropian.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark