×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Pe ndal një ushtar të UÇK”, “u lanë të lirë vrasësit e Afrim Bunjakut”- presidentja “unifikuese” jep deklarata përçarëse kah flet për Isufajn

    Insajderi
    17 October 2023 - 21:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja Vjosa Osmani – figura e së cilës pritet të jetë unifikuese – pasi që vendosi të mos ta dekretojë për kryeprokuror Blerim Isufajn, në paraqitje televizive po bën deklarata linçuese për të. E para e vendit ka tërhequr paralele mes të bëmave të Isufajt në të kaluarën si ish-ushtar i UÇK-së në Koshare me heqjen e fletarrestit të kryeterroristit Milan Radoiçiq, duke matur “patriotizmin” e tij.

    “Këto janë çështje për të cilat Prokuroria Speciale duhet të japë përgjegjësi. Pse i kanë bërë presion këtij prokurori paraprak që t’i hiqet fletarresti Radoiçiqit? Si është e mundur që 25 vjet pas lufte të lejohet një udhëheqës i bandave kriminale në veri të determinojë procese juridike në Prishtinë. E tani thonë presidentja pe ndal një ushtar të UÇK-së [duke iu referuar kandidatit për kryeprokuror, Blerim Isufaj]. Presidentja po e mbron ligjshmërinë, po e mbron kushtetutshmërinë, po e mbron edhe të shenjtën e luftës së UÇK-së, por ata që lejojnë që kriminelët që e kanë vrarë Afrim Bunjakun të enden të lirë, ata duhet të japin përgjigje. Ata i kanë borxh këtij shteti, jo vetëm juridik, por edhe moral. Si është e mundur që 25 vjet pas lufte, të bien nën presionin e bandave serbe, të cilat udhëhiqen nga Vuçiqi. Të tillët patriotizëm nuk mund të më shesin. Pse ua hoqën fletarrestet njerëzve të Vuçiqit? Kjo është përgjigja që presin qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar presidentja Osmani në “Tempus” të KTV-së.

    Osmani po vazhdon deklarimet në linjën e kryeministrit Albin Kurti, i cili para pesë muajsh u pati zotuar se s’do të dekretohet për kryeprokuror Isufaj.

    “Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetë ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dalë nga 14 shkurti i 2021-ës. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër, me figurën e prokurorit Blerim Isufaj“, thoshte Kurti.

    “…Por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse këtu ka republikë dhe popull”, shtonte më tej kryeministri.

    Gjatë ditës, presidentja Osmani bëri të ditur se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror, duke thënë se ka pasur shkelje procedurale përgjatë përzgjedhjes së tij nga KPK-ja për kryesues të Prokurorisë së Shtetit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark