Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, vizitoi një familje në Pestovë të Vushtrrisë për të treguar si ata përfituan nga një grant prej 90,000 euro. Në një postim në Facebook, Peci theksoi se falë këtij granti, familja tani punon 30 hektarë tokë me mekanizëm të ri bujqësor.
“Mirëmëngjes nga Pestova e Vushtrrisë! Fermerët e kësaj komune po përfitojnë një mbështetje rekord nga grante dhe subvencione gjatë qeverisjes sonë. Mikpritja e ngrohtë e fermerëve më ka frymëzuar që të jem me ta çdo fundjavë. Familja Ademi tani përpunon 30 hektarë tokë me ndihmën e mekanizmave të rinj bujqësorë, duke përfituar nga grantet e Ministrisë së Bujqësisë. Nga këto 30 hektarë, 25 janë të kultivuara me patate, duke kontribuar në zinxhirin ekonomik dhe duke theksuar pataten si një kulturë identitare për rajonin e Vushtrrisë,” shkroi Peci.
Ministri shtoi se në qeverisjet e kaluara, përfituesit e granteve shpesh janë ballafaquar me “kritere të pashkruara”.
Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij, është zbatuar dinjiteti i fermerëve dhe meritokracia në vlerësim.
“Nëse dikush dyshon në këtë që po them, le të bisedojë me anëtarët e familjes Ademi, pasi ata kanë shumë për të treguar,” përfundoi ai.