Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në një video promovuese të punës së tij në një nga fermat e fermerëve kosovarë, është parë duke mbajtur një milka në dorë. Megjithatë, mesazhi i këtij veprimi nuk është bërë i ditur.
Peci nuk dihet nëse e ka pasur këtë mesazh si një “goditje” ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavilecit, apo ka bërë ndonjë lapsus përgjatë promovimit të prodhimit vendor, shkruan Insajderi.
Emërimi i Stavilecit në pozitën e udhëheqësit të dikasterit të Bujqësisë e kishin parë me skepticizëm atëbotë deputetët e opozitës. Ish-deputeti i AAK’së, Naim Maloku, kishte thënë se Stavileci “e ka parë lopën vetëm në çokoladat ‘Milka’”.
Kjo frazë iu kishte bërë e famshme Malokut, meqë profili i Stavilecit nuk ishte agronomia. Stavileci ishte ekonomist me profesion e ish-basketbollist.
Peci në vazhdimësi ka kritikuar ish-ministrat e Bujqësisë gjatë kohës sa ka udhëhequr me këtë dikaster.
Ai në video shfaqet duke buzëqeshur në momentin kur prezanton çokollatën ‘Milka’, por pa e bërë të ditur mesazhin. /insajderi.org/