Labinot Osmani ka vendosur përfundimisht që të pensionohet nga futbolli aktiv. Njëri prej sulmuesve më të mirë në futbollin e Kosovës ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, duke luajtur me shumë klube dhe lënë gjurmë në secilin prej tyre.
“Pas një rrugëtimi të gjatë si futbollist ka ardhur koha që këtij rrugëtimi t’i jap fund. Edhe pse shumë e vështirë ta merrja këtë vendim, mendoj se ka ardhur momenti t’i them lamtumirë futbollit aktiv”, ka thënë fillimisht Osmani, i cili me pas falënderoi të gjitha klubet, kryesitë, trajnerët, bashkëlojtarët, tifozëritë dhe të gjitha qytetet e klubeve në të cilat ka luajtur për përkrahjen, vlerësimin dhe mikpritjen e ngrohtë që i kanë bërë në rrugëtimin e tij si futbollit. Osmani ka luajtur për skuadrën e Vushtrrisë, Trepçës ’89, Hysit, Prishtinës, Feronikelit, Llapit dhe Dukagjinit.
“Një falënderim i veçantë për klubin e qytetit tim KF Vushtrria, klub në të cilin fillova karrierën time si futbollist. Ka qenë kënaqësi që të kontribuoj sado pak në sukseset e klubit te qytetit tim. E nuk kam se si të mos i falënderoj tifozët e flaktë “forca” për përkrahjen, vlerësimin dhe motivin që më kanë ofruar gjatë karrierës time”, ka shtuar Osmani.