×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Për çfarë do të ju kujtonim, nëse do të kishit vdekur

    Insajderi
    13 September 2016 - 23:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Isha duke pirë një kafe, dhe në telefon po lexoja një lajm: 20 vjet prej kur e humbëm 2Pac: 8 mënyra sesi Tupac Shakur e ndryshoi botën.

    E hap lajmin dhe lexoj, jo veç 8 mënyra, por me qindra akte me të cilat 2Pac ka ndryshuar botën.

    Më së miri për të shkruan, normalisht revista “Rolling Stone”. Ata kujtojnë lojën e mrekullueshme të 2Pac në filmin “Jucie” që shënon edhe herën e parë në të cilën një reper është paraqitur në një film, më pas shpjegohet në mënyrë të mrekullueshme sesi e transformoi vetën nga epiteti si kriminel në një burim të forcës kreative.

    Mënyrat sesi Tupac Shakur ndryshoi botën, përfshinë edhe atë sesi Shakur është reperi i parë i vdekur për të cilin shumë njerëz mendojnë se është ende gjallë dhe tek në fund është një nga arsyet kryesore: ai inspiroi miliona njerëz.

    Më pas e lexoj edhe një letër që një nga reperët më të njohur në botë, Kendrick Lamar, e kishte shkruar vitin e kaluar për 2Pac.

    “Kam qenë 8 vjeç kur për herë të parë të pashë. Nuk mund ta përshkruaja ndjenjën e atij momenti. Shumë emocione të përziera. Plot dëshirë dhe energji. 20 vite më vonë e kam kuptuar saktësisht se cila ishte ndjenja: I inspiruar”.

    E ruaj linkun e shkrimit, me qëllim që pasi të shkojë në zyrë, të bazohem për ta shkruar një rrëfim mbi trashëgiminë e reperit Tupac Shakur dhe trashëgimia e tij që ka lënë pas.

    Por këtë rrëfim po arrijë ta bëjë tek tash.

    Në vend të këtij rrëfimi, për fat të keq me të mbërritur në zyre mu desh të merrem me një tjetër rrëfim. Por shumë banal. Tejet banal.

    Megjithatë gazetaria këto i ka, sidomos kur të jesh redaktor që të duhet të shkruash dhe të editosh gati gjithçka e për gjithkënd.

    Pra në vend që të shkruaj një tekst për 20 vjetorin e vdekjes së 2Pac, po shkruaj për një përleshje mes reperëve shqiptarë, që prej ekzistencës së tyre e as 1 mijë vjet të tjera pas tyre, nuk do të lënë asgjë, përpos disa këngë e videoklipe në të cilat kurrë asgjë nuk ka për tu diskutuar.

    Të më falin adhuruesit e muzikës së vërtetë hip-hop që po e krahasoj 2Pac me reperët shqiptar si Noizy e Cozman, apo OTR e Babastars.

    Pak a shumë të gjithë. Edhe Elinel-i që për mua deri vonë mbante njëfarë “niveli” doli nga loja kur u bë bashkë me Fjolla Morinën dhe bashkuan forcat për “trileqe”. Por kjo s’ka rëndësi. Rëndësi ka lidhja që dua t’i bëjë muzikës rep që e kemi këtu, me shkas ngjarjen e sotme që ndodhi, dhe ajo çfarë 2Pac i la këtij zhanri muzikor.

    Pa u ndalur tek mënyra sesi për çka dhe si u vra 2Pac sepse tashmë dihet gjithçka, po ndalemi tek arsyeja sesi ndodhi gati një tragjedi midis qytetit në Prishtinë.

    Dhe është një pyetje e thjeshtë: Çka do të kishin lënë pas reperët shqiptar nëse do të kishin vdekur sot gjatë përleshjes?

    Përderisa lista e trashëgimisë së asaj çfarë ka lënë 2Pac është tejet e gjatë, ajo që do të kishin lënë këta reper është tepër e shkurtë. Madje unë, tashti nuk mund të bëjë një listë as me tre numra.

    Por për të mos dalë injorant në këtë fushë e bëra një kërkim të vockël në këngët, deklaratat dhe intervistat e reperëve që janë përleshur sot.

    Edhe Noizy edhe Cozman kanë jetuar jashtë territorit shqiptar deri sa janë bërë të famshëm. Më pas kanë ardhur në Kosovë e Shqipëri për të bërë karrierë, duke bërë muzikë rap.

    Të dytë, në intervista të ndryshëm kanë pranuar se inspirim e kanë 2Pac. Madje Noizy në një intervistë për RTV 21 kishte thënë se “2Pac është burim inspirimi për të”.

    Një hulumtim i thjeshtë nëpër tekstet e këngëve të tyre rezulton me një shpërfaqje të një jete të thatë, pa asnjë ide ose filozofi mbi jetën a shoqërinë. Krejt çka dinë këta të repovatin është sesi kanë para, sesi janë më të mirët, sesi askush nuk jeton si ta, sesi, sesi sesi…

    Një karrierë e ndërtuar mbi thatësinë e shpirtit të tyre. Një karrierë dhe jetë e ndërtuar mbi rregullat provinciale, sikurse hakmarrja apo larja e hesapeve.

    Repera të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

    Për shumë kritik të medieve, raportimi për këtë përleshje është një raportim për klika. Edhe mund të jetë. Lajmet e tilla lexohen shumë. Por mbi të gjitha raportimet për këtë ngjarje janë të rëndësishme sepse kanë ndodhur midis sheshit të Prishtinës.

    Aty ku viktimë ka mundur të mos jetë asnjëri prej tyre, por ka mundur të jetë secili për neve.

    Për çka do të kishim mundur të mbesim të vdekur? Për një inat mes reperëve se kush cilën femër e ka zënë? Për inatet se kush kujt i ka thënë gocë?

    Qe, provincialiteti. Ti thuash këtyre reperëve goca është fyerje, sepse mentaliteti i tyre funksionon mbi idenë që femrën e shohin si diçka të ligë, të keqe të kësaj shoqërie.

    Si diçka që duhet përdorur, që çmendet pas parave të tij, që shkon në shtrat me ta për shkak se ata janë “bosa”.

    Ju edhe mund të vazhdoni vrasjet mes vete, por me vdekjen tuaj përfundon edhe trashëgimia juaj.

    Deri më tani asgjë nuk keni lënë prapa. Pos miliona shikimeve, sipas gjitha gjasave, gjysma e tyre të blera./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark