×
  • Lajme
  • Analiza

    Përballja e Kosovës në Arbitrazh – Tri betejat e fituara që i shpëtuan shtetit miliona euro

    Insajderi
    05 December 2022 - 12:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Republika e Kosovës, është dërguar në të paktën gjashtë raste në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Deri tash, tri nga rastet e mëdha kanë përfunduar në favor të shtetit derisa tri të tjera janë ende në procedurë. Nga tri rastet e fituar deri tash, 475 milionë euro i janë shpëtuar buxhetit të shtetit. Gazeta Insajderi, sjell detaje të këtyre rasteve

    Bedri Selmani vs Kosova – 65 milionë euro

    Në muajin gusht të këtij viti, shtetit e fitoi një rast të madh arbitrazhi me ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës.

    Pas më shumë se dy vite betejë ligjore, më në fund ishte marrë vendimi pro shtetit në kontestin që Kosova rrezikonte të humbte mbi 60 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Bedri Selmani, ish-deputeti i PDK-së i njohur nga shteti si uzurpator i pronës, e pati dërguar Kosovën në Arbitrazh për pronën “Hotel Victory”, e pronën e “Auto Prishtina”.

    Ai pretendonte se ndërprerja e kontratës për shfrytëzimin e pompave të benzinës ka qenë e kundërligjshme.

    Selmani, dërgoi padinë në prill të vitit 2019, duke kërkuar nga shteti kompensim në vlerë prej 65 milionë euro, për pronat që kishte mbajtur të uzurpuar për disa vite me radhë.

    Këto prona që nga paslufta ishte shfrytëzuar nga biznesmeni Bedri Selmani, deri kur Agjencia Kosovare e Privatizimit e pati futur “Hotel Victory” në listën e uzurpatorëve.

    Gazeta Insajderi, ka shkruar edhe më herët për historinë e saj.

    Historia nisë me marrjen nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes që udhëhiqej nga Azem Syla.

    Selmani ishte vendosur në këtë objektin që atëherë e hapi “Hotel Victory” me bekimin e Azem Sylës në vitin 1999, sa ky i fundit ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi.

    Paraprakisht, objektet e ndërmarrjes Auto Prishtina ishin përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, deri në kohën kur UNMIK-u kishte shpërbërë këtë qeveri që nuk njihej ndërkombëtarisht.

    Në këtë objekt, për vite me radhë janë mbajtur pothuajse të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike të Kosovës.

    Tek në vitin 2016 shteti arriti ta rikthej nën menaxhim këtë pronë. APK bashkë me Policinë e Kosovës e patën liruar objektin e cili iu dha në shfrytëzim Policisë së Kosovës.

    Biznesmeni Selmani për vite me radhë kishte mbajtur në shfrytëzim edhe pompat e INA Zagreb.

    Ai madje e ka paditur shtetin për rrënimin e njërës pikë.

    Pompa e rrënuar dhe toka e shpronësuar është tek rrethi i ri në Prishtinë. Shpronësimi ishte bërë për shkak të ndërtimit të rrethrrotullimit dhe zgjerimit të rrugëve.

    Për shkak të procedurave për shpronësim, ndërtimi i rrugës ishte vonuar me muaj të tërë.

    Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore kishte kontraktuar firmën ligjore “Squire Patton Boggs”, për përfaqësimin e këtij kontesti.

    “Ministria e Drejtësisë kishte zhvilluar procedurat për përzgjedhjen e firmës ligjore ndërkombëtare, në këto procedura është përzgjedhur firma ligjore e quajtur  Squire Patton Boggs (US) LLP, e që Republikës së Kosovës i ka kushtuar 1. 1 milion euro”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Gazetën Insajderi.

    Sipas Ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu, Avokatura Shtetërore gjatë tërë procedurës e ka mbështetur firmën e kontraktuar, me sigurimin e provave, ekspertëve, dëshmitarëve dhe të gjitha dokumentet tjera të nevojshme për mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës.

    “Pas ndërmarrjes së shumë veprimeve procedurale, seanca dëgjimore është mbajtur nga data 25 tetor deri me datën 30 tetor 2021”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

    Rasti përfundoi tek në gusht të këtij viti, në favor të Ministrisë së Drejtësisë. Biznesmeni Selmani bazuar në këtë vendim të arbitrazhit ndërkombëtar, u detyrua për kompensimet e shpenzimeve të procedurës.

    “Me datë 01.08.2022 Tribunali i Arbitrazhit (ICC) ka nxjerrë vendimin final në çështjen e Bedri Selmanit kundër Republikës së Kosovës, duke refuzuar kërkesëpadinë e paditësit Bedri Selmani dhe duke e urdhëruar të njëjtin që të paditurës Republikës së Kosovës, t`ia kompensoj shpenzimet e krijuara në këtë procedure”, njofton Ministria e Drejtësisë.

    Por, sipas tyre biznesmeni Selmani nuk ka pranuar përmbushje vullnetare të detyrimit sipas vendimit final të Arbitrazhit. Avokatura Shtetërore është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore brenda dhe jashtë vendit, me qëllim të rimbursimit të shpenzimeve që janë shkaktuar gjatë mbrojtjes së këtij rasti.

    “Tani më, Avokatura Shtetërore, ka dorëzuar kërkesën për njohje dhe ekzekutim të vendimit final të Arbitrazhit, në Gjykatën Komerciale, në Prishtinë”.

    “Detyrimi i Bedri Selmanit ndaj Republikës së Kosovës kap shumën prej: Shpenzimet e arbitrazhit: 1,302,165.38 USD dhe 71,653.305 euro; Rimbursimi i paradhënies për kostot (shpenzimet e arbitrazhit): 175,000.00 USD”, thuhet më tej në përgjigjen e MD-së.

    Iute Credit vs Kosova – 30 milionë euro

    Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e kishte dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në muajin shkurt të 2020-së.

    Banka Qendrore e Kosovës e kishte mbyllur “Iute Creditin” në fillim të muajit dhjetor të 2019-s, me arsyetimin se funksiononte me norma të interesit jashtë çdo standardi, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Banka Qendrore ka vendosur të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosova”. Devijimi më i rëndësishëm ka të bëj me normën e interesit që ky institucion ka aplikuar në kredi – të cilat kanë qëlluar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normën që kishte paraparë në planin e tyre të biznesit”, pati thënë atëkohë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

    “Iute Credit”, nuk ishte pajtuar me revokimin e licencës, prandaj edhe e paditi shtetin në Gjykatën e Arbitrazhit, dy muaj pas mbylljes, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ky institucion pretendonte se është dëmtuar nga vendimi BQK, prandaj kërkonte kompensim vlerë monetare prej 30 milion euro.

    “Bazuar në këtë Ministria e Drejtësisë- zyra e prokurimit, ka zhvilluar të gjitha procedurat ligjore, për përzgjedhjen e kompanisë, komisioni i zgjedhur nga ish Ministri i Drejtësisë , ka përfunduar vlerësimin dhe negocimin për përfaqësim ligjor, ku është zgjedhur firma ligjore Squere Patton Boggs në vlerë prej 475,000 euro”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

    Në nëntor të këtij viti, përfundoi rasti me fitoren e shtetit. Pretendimet e “Iute Credit” ranë përtokë, rrjedhimisht shteti shpëtoi 30 milionët e kërkuar nga ky institucion.

    Firma ligjore amerikane “Squire Patton Boggs”, si përfaqësuese e Kosovës në këtë kontest, kanë dhënë detaje nga rasti.

    “Mosmarrëveshja AS Iute Credit Europe vs Republika e Kosovës kishte të bënte me revokimin e licensës së institucionit mikrofinanciar që i ishte lëshuar filialit të paditësit në Kosovë dhe udhëhiqej nga Ligji i Kosovës për Investime të Huaja”, thuhet në njoftim.

    Theksojmë se Squire Patton Boggs ka siguruar tashmë tre fitore radhazi në arbitrazh të investimeve për Republikën e Kosovës, duke i mbrojtur taksapaguesve kosovarë pothuajse gjysmë miliardi eurosh në vlerë të padive.

    “Rasti përfshinte një numër çështjesh në lidhje me ligjshmërinë e investimeve si në periudhën e bërjes së investimit ashtu edhe më pas. Përfundimisht, Tribunali arriti në konkluzionin se sjellja e paditësit nuk mjaftonte për të përjashtuar juridiksionin e tribunalit, mirëpo vendosi në favor të Kosovës për të gjithë pretendimet e saj në merita”.

    “Kësisoj tribunali pranoi argumentin e Kosovës se revokimi i licencës përbënte një ushtrim bona fide (në mirëbesim) të kompetencave rregullative të Kosovës dhe si i tillë nuk ishte arbitrar apo diskriminues por i ofronte paditësit një trajtim të rregullt dhe të drejtë. Në bazë të këtij përfundimi, tribunali hodhi poshtë të gjitha kërkesat e ngritura nga paditësi, përfshirë këtu pretendimet për shpronësim, shkelje të standardit për trajtim të drejtë dhe të paanshëm, shkelje të standardit për mbrojtje të plotë dhe siguri dhe shkelje të klauzolës ombrellë”, vijon njoftimi.

    Nga kjo firmë ligjore, kanë thënë se vendimi i arbitrazhit konfirmoi se Kosova mbrojti interes të konsumatorëve kur ia revokoi licencën këtij “Iute Credit”.

    “Jemi të kënaqur që kemi siguruar fitoren e tretë radhazi në arbitrazh të investimeve për popullin e Kosovës” komentoi z. Misetic. “Vendimi i arbitrazhit konfirmon se me revokimin e licencës së të paditurit me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe publikut të gjerë kosovar, Banka Qendrore e Kosovës ka vepruar në përputhje me standardet vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet më tej në përgjigje.

    Lidhur me Iute Credit, Gazeta Insajderi, kishte zbuluar se në Kosovë ka pranuar para nga “SWEDSKE BANK”.

    ACP Axos vs Kosova – 380 milionë euro

    Kosova kishte pasur edhe një përballje tjetër në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit me një kompani tjetër ndërkombetare.

    Beteja ishte zhvilluar me kompaninë “ACP Axos Capital Gmbh”, e cila fillimisht ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile “Vala”, për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro.

    Kuvendi i Kosovës nuk ia dha “dritën jeshile” raportit të qeverisë për shitjen e PTK-së pasi ishte opozita ajo që e kundërshtonte fort këtë proces duke bojkotuar disa herë edhe seancat.

    Madje, opozita kërcënoi se nuk do ta votonin edhe buxhetin për vitin 2014, pas tentimit të qeverisë që me një amendament në këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

    Pas disa shtyrjeve, Qeveria e Kosovës nuk e nënshkroi kontratën me këtë kompani, shkruan Gazeta Insajderi.

    “ACP Axos Capital Gmbh”, e dërgoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke kërkuar miliona euro. Padiu u dërgua me 4 qershor të vitit 2015 në këtë gjykatë.

    Nëse Qeveria e Kosovës do ta humbte rastin rrezikon të humbasë shumën prej 380 milionë euro, shkruan Insajderi.

    Pas përballjes në këtë gjykatë rasti u fitua nga Kosova. Vendimi u mor në prill të vitit 2018-të.

    “ACP Axos v Republic of Kosovo, ka rezultuar në fitore të plotë për Kosovën duke mundur një padi në vlerë prej €380 milionë”, thuhet në njoftimin e kompanisë Squire Patton Boggs e cila ishte angazhuar nga Kosova për ta përfaqësuar në këtë procedurë.

    Ky vendim i Gjykatës së Arbitrazhit në favor të Kosovës, është marrë para pesë vitesh në maj të vitit 2018. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark