×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Përçarja e politikanëve shqiptarë në Maqedoni, Taravari thotë se Kurti e inkurajoi të kandidonte për president

    Insajderi
    05 March 2024 - 22:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Aleati i kryeministrit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, thotë se u inkurajua nga vetë Kurti që të kandidonte si president në zgjedhjet presidenciale në shtetin respektiv.

    Taravari në një intervistë në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës ka thënë se Kurti ia ka përmendur një ose dy herë punën e presidentit, duke vlerësuar se ai do të ishte “figura unifikuese e shqiptarëve”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ajo që më theu mendimin ishin anketat dhe inkurajimi prej… Ka pasur inkurajim edhe prej kryeministrit Kurti, atë e kemi besuar një herë ose dy herë me z. Kurti. Ai ka mendua se mund të jetë një figurë Arben Taravari të unifikojë të gjithë shqiptarët”, ka deklaruar Taravari.

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët ka thënë se deri në fund të 2023-ës s’ka dashur të kandidojë për president.

    “Në zyrën time në komunë të Gostivarit kemi pasur një takim jo-formal aty ka qenë edhe Zijadin Sela edhe unë edhe ministri i Drejtësisë. Në takim jo-formal është thënë që mirë është të kandidojë ose Zijadini ose Arbeni ose Krenari. Unë kam qenë kategorik dhe këtë bindje e kam mbajtur një periudhë deri më dhjetori 2023-a”.

    Ai ka treguar edhe që prej kur është përkrahur nga Kurti.

    “Më 2020-ën z. Albin Kurti ka qenë shumë aktiv në zgjedhjet parlamentare, na ka ndihmu. Gati se në çdo tubim tonin në Maqedoni të Aleancës Shqiptare dhe Alternativës ka pasur eksponentë të Vetëvendosjes dhe në tubimin e fundit në Shkup ka pasur video-paraqitje për shkak të pandemisë. Ne kemi relacione korrekte me z. Kurti kur kemi qenë edhe ne opozitë edhe ai në opozitë”.

    Politikani shqiptar në Maqedoni është pyetur edhe lidhur me raportet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të cilat i ka përshkruar si të mira.

    “Me z. Kurti kemi raporte shumë korrekte njësoj sikurse kemi me z. Rama. Të dy institucione me kryeministra shqiptarë janë personalitete që gëzojnë autoritet dhe kanë impakt në Maqedoni. Mirë që i kemi dy shtete shqiptare, dy kryeministra cilësorë që vazhdimisht janë tentuar të fascilitojnë proceset”, ka thënë tutje ai. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark