Përfaqësuesit e Ibër-Lepencit kanë deklaruar se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, i ndodhur në nëntor të vitit 2024, dëmtoi rëndë infrastrukturën kritike dhe e vendosi Kosovën përballë rrezikut të një krize të madhe energjetike dhe sanitare.
Gjatë fjalës hyrëse në gjykimin ndaj të akuzuarve, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Naxhie Sadiku, tha se shpërthimi shkaktoi dëme serioze në infrastrukturën me të cilën operon Ibër-Lepenci, ndërsa u desh të ndërmerreshin menjëherë masa teknike për të parandaluar pasoja edhe më të mëdha.
Fillimisht, Sadiku tha se e mbështet plotësisht deklarimin hyrës të prokurorit Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ibër-Lepenci përveç se ka pasur një sfidë shumë të madhe në ditën e ngjarjes, ka pasur edhe rrezikime dhe frikë të krijuar për punëtorët e tij në terren pasi që shpërthimi ka qenë shumë i madh dhe ka dëmtuar infrastrukturën kritike me të cilën operon Ibër-Lepenci për furnizim me ujë industrial, ujësjellësat, KEK-un, Ferronikelin dhe industritë e tjera”, deklaroi ajo.
Sipas Sadikut, për të shmangur dëme të mëtejshme në pronat përreth dhe për të garantuar vazhdimësinë e furnizimit me ujë, është dashur të realizohej menjëherë një zgjidhje teknike.
“Përveç kësaj, është dashur të ndërmerren hapa që menjëherë të bëhet një zgjidhje teknike që të mos ketë dëme në pronat përreth dhe të bëhet zgjidhja teknike që industritë të furnizohen me ujë të pandërprerë, të kenë mundësinë që të mos ndërpriten shërbimet për qytetarët”, shtoi ajo.
Sadiku theksoi gjithashtu se Ibër-Lepenci ka pësuar dëme të mëdha materiale, vlera e të cilave është përfshirë edhe në aktakuzë.
Në seancë foli edhe drejtori i Infrastrukturës në Ibër-Lepenc, Ernest Kërçeli, i cili tha se pasojat e sulmit mund ta kishin futur Kosovën në një krizë të rëndë energjetike dhe sanitare.
“Vlen të potencohet se Kosova ka pasur mundësi të hyjë në krizë të madhe energjetike dhe në krizë të madhe sanitare si pasojë e mungesës së ujit për pije dhe amvisërisë”, deklaroi Kërçeli.
Ai përshkroi edhe situatën e krijuar menjëherë pas shpërthimit, duke treguar se ekipet kanë punuar pa ndërprerje për të rikthyer normalitetin.
“Në cilësinë time si drejtor i Infrastrukturës, pas një ore e 20 minutave kemi mbërri në vendngjarje. Ka pas mungesë të energjisë, nuk u ditë çka është tu ndodh, kemi ndejt pa gjumë 24 orë, 48 orë dhe një muaj ditë derisa është sanuar”, tha Kërçeli.