×
  • Lajme
  • Lajme

    Përfaqësuesit e Luginës e njoftojnë Lajçakun për sfidat që kanë shqiptarët atje

    Insajderi
    05 April 2024 - 14:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, kanë takuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

    Lutfiu në një postim në Facebook ka thënë se Lajçakun e kanë takuar “për ta njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës”.

    “E njoftuam Lajçakun për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve”, ka shkruar Lutfiu.

    Sipas tij mosintegrimi i shqiptarëve në institucione “i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime”. Lutfiu ka thënë se Medvegja është shembulli më i mirë për këtë.

    “Njoftuam Lajçakun për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën”, ka shkruar Lutfiu.

    Sipas tij mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

    “Prandaj edhe komunat e banuara me shqiptarë janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend. Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vështirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptarë”, ka shkruar Lutfiu.

    Sipas tij e ardhmja evropiane “duhet të jetë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor ndërsa të drejtat e njeriut dhe pakicave duhet të jenë parakusht esencial i vazhdimit të rrugës së mëtejme drejtë Bashkimit Evropian”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark