09:51 - 25 Maj 2022

Gjykata e Lezhës ka dënuar me nga 1 vit burg 3 persona, në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, çështja ndaj të cilëve ishte veçuar nga Prokuroria, pasi nuk ndodhen në Shqipëri.

Vasil Frroku, Martin Frroku dhe Ndue Frroku u gjeten fajtor për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Pasi shqyrtoj çështjen ne themel, gjyqtarja Elsa Ulliri doli në konkluzionin se tre vëllezërit kanë konsumuar elementë të veprës penale për të cilën ishin vënë nën akuzë dhe i dënoi ata në mungesë.

Vasil Frroku, Martin Frroku dhe Ndue Frroku, ishin pjesë e skemës së tjetërsimit të pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin në rolin e përfituesit të tokës.

Ata u hetuan si pjesë e të njëjtës çështje për të cilën është dënuar dhe ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.

Çështja për vëllezërit u nda në gjykatë, për shkak se ata nuk ishin në Shqipëri dhe nuk u ndaluan si pjesa tjetër e të akuzuarve. Frrokaj dhe të tjerët po ashtu u dënuan në Gjykatën e Shkallës së Parë, por vendimi për këtë rast nuk ka marrë ende formë të prere, pasi çështja është në shqyrtim nga Gjykata e Apelit në Shkodër. Tre vëllezërit kanë përfituar nga 1 mijë metra katror prona në zonat bregdetare të Lezhës.

Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë ne muajin shtator të vitit 2020 shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vite burg për “Shpërdorim detyre” Frrokajn, ndërsa bashkë me të u dënuan edhe 16 persona të tjerë, përfshirë Gjon Ndokën, xhaxhai i ish-deputetit të Partisë Socialiste.

Por, vendimi u kthye pas nga Gjykata e Apelit në Shkodër për proces të parregullt.

Pas rekursit të prokurorisë Gjykata e Lartë e dërgoi çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit në Shkodër. Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në Prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.

TJETËRSIMI E PRONAVE

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Shëngjinit nisën në vitin 2017, pas denoncimit të një qytetari se toka e tij në Hipotekë rezultonte në emër të disa personave të tjerë.

Pas hetimeve, Prokuroria e Lezhës arriti të zbulonte se nëpërmjet falsifikimeve të dokumenteve ishin tjetërsuar 234 mijë metra katror tokë.

Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”.

Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.