Nuk ka fitues në Skoci, aty ku u luajt takimi Kroaci-Çeki, i vlefshëm për grupin D të Euro 2020. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, rezultat që i shërbeu më shumë skuadrës çeke.
Rastin e parë të rrezikshëm e krijoi Çekia me anë të Patrik Schick, ndërsa kroatët reaguan me anë të Ivan Perisic. Goli i parë erdhi në minutën e 37-të. Penallti për Çekinë pasi arbitri kërkoi ndihmën e VAR-it dhe Schick nuk gaboi.
Topi në rrjetë, Çekia në avantazh dhe goli i tretë në dy ndeshje (golashënuesi më i mirë i Euro 2020 për momentin) për sulmuesin e Bayer Leverkusen. Kaq për pjesën e parë, teksa e dyta nisi me golin e kroatëve.
Veprim i bukur i Ivan Perisic në krahun e majtë dhe finalizim fantastik. Goditja potente e interistit përfundoi në rrjetë dhe në “Hamden Park” të Glasgow u rikthye baraspesha. Nikola Vlasic pati shansin e artë në minutën e 72-të.
Lojtari i CSKA së Moskës goditi lart, teksa një minuta nga fundi shpërdoroi edhe Bruno Petkovic për nënkampionët e botës. 1 pikë në dy ndeshje për Kroacinë, që e ka finale duelin e fundit me Skocinë, ndërsa Çekia është me një këmbë në raundin tjetër.