×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Periudhat e krijimtarisë së Picassos

    Insajderi
    28 October 2023 - 20:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autore: Fiorela Katroshi

    Vështrim i shkurtër

    Pablo Picasso mbetet një nga artistët më të vlerësuar dhe që influencuan më së shumti artin e shekullit XX. Vazhdoi të prodhojë art deri në vdekjen e tij në vitin 1973, në moshën 91-vjeçare.

    Picasso lindi më 25 tetor të vitit 1881, në Malaga të Spanjës. Arriti majat e suksesit në pikturë, skulpturë, qeramikë, skenografi etj. Së bashku me artistin Georges Braque, hyri në historinë e artit si krijuesi i kubizmit.

    Pablo Picasso ishte djali i José Ruiz Blascos, profesor i vizatimit. dhe Maria Picasso Lópezit. Aftësia e tij e pazakontë për vizatim filloi të shfaqej herët dhe shumë shpejt tejkaloi aftësitë e babait të vet. Puna e Picassos, e cila përfshin më shumë se 50 mijë piktura, vizatime, gdhendje, skulptura dhe qeramika të prodhuara gjatë 80 viteve, përshkruhet në një seri periudhash të mbivendosura. Periudha e tij e parë e dukshme “periudha blu”, filloi menjëherë pas ekspozitës së tij të parë në Paris. Në vepra të tilla si Kitaristi i vjetër [El viejo guitarrista ciego, 1903], Picasso pikturoi me tone blu për të evokuar botën melankolike të të varfërve.

    “Periudha blu” u pasua nga “periudha e trëndafilave”, në të cilën ai shpesh përshkruante skena cirku, dhe më pas nga puna e hershme e Picassos në skulpturë. Në vitin 1907, Picasso pikturoi veprën novatore Bordeloja e Avinjonit [Les Demoiselles d’Avignon], e cila me paraqitjen e saj të fragmentuar dhe të shtrembëruar të formës njerëzore, e shkëputi nga arti i mëparshëm evropian. Kjo demonstroi ndikimin e artit afrikan të maskave dhe të Paul Cezanneit, te Picasso. Në kubizëm, i cili ndahet në dy faza, analitike dhe sintetike, Picasso dhe Braque vendosën parimin modern se vepra e artit nuk duhet të përfaqësojë realitetin për të pasur vlerë artistike.

    Veprat kryesore kubiste nga Picasso përfshinin kostumet dhe skenat e tij për trupën “Ballets Russes” të Sergey Diaghilevit – si Parada [Parade, 1917 Muzikantët [Cuadro Flamenco, 1921]. Eksperimentet kubiste të Picasso dhe Braqueit rezultuan gjithashtu në shpikjen e disa teknikave të reja artistike, duke përfshirë kolazhin. Pas kubizmit, Picasso eksploroi temat klasike dhe mesdhetare dhe imazhet e dhunës dhe ankthit që shfaqeshin gjithnjë e më shumë në punën e tij. Në vitin 1937, kjo prirje arriti kulmin me kryeveprën Gernika [Guernica], një vepër monumentale që ngjalli tmerrin dhe vuajtjet e duruara nga qyteti bask i Gernikës, kur u shkatërrua nga aeroplanët luftarakë gjermanë gjatë Luftës Civile Spanjolle.

    Picasso mbeti në Paris gjatë pushtimit nazist, por ishte kundër fashizmit dhe pas luftës iu bashkua Partisë Komuniste Franceze. Puna e Picassos, pas Luftës së Dytë Botërore, është më pak e studiuar se krijimet e tij të mëparshme, por ai vazhdoi të punonte me ethe dhe pati sukses komercial dhe kritik. Prodhoi vepra fantastike, eksperimentoi me qeramikë dhe pikturoi variacione në veprat e mjeshtërve të tjerë në historinë e artit. I njohur për shikimin e tij intensiv dhe personalitetin dominues, ai pati një sërë marrëdhëniesh dashurie intensive dhe të mbivendosura gjatë jetës së tij. /Epoka e re/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark