×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Përmbajtjet ekstremiste një sfidë për kompanitë e mediave sociale

    Insajderi
    11 April 2019 - 08:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompanitë e mediave sociale mbrohen me ligj nga përgjegjësia për përmbajtjet e postuara në platformat e tyre.

    Videoja e transmetuar drejtpërdrejt në internet e sulmit në xhaminë e qytetit Christchurch të Zelandës së Re, muajin e kaluar, theksoi vështirësitë e vazhdueshme të kompanive të mediave sociale për të monitoruar përmbajtjet ekstremiste në platformat e tyre. Përfaqësuesit e kompanive Facebook dhe Google u thanë ligjvënësve amerikanë se ata vazhdojnë përpjekjet për të balancuar fjalën e lirë me monitorimin e materialeve të supremacistëve të bardhë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongrers, Katherine Gypson sjell hollësitë.

    Sulme në një kishë…dhe një xhami, të frymëzuara nga ideologjia supremaciste e bardhë, e nxitur në mediat sociale.

    “Në epokën e komunikimit të menjëhershëm që mund të arrijë në çdo cep të botës, grupet e nacionalistëve të bardhë vënë në shënjestër komunitetet me ngjyrë dhe pakicat fetare përmes platformave të mediave sociale”, thotë ligjvënësi Jarrold Nadler.

    Që nga viti 2007, sulme të ekstremistëve të grupeve të djathta kanë ndodhur në mbarë vendin.

    Por ky është një problem global dhe transmetimi i drejtpërdrejt në internet i sulmit në Zelandën e Re përbën një sfidë të madhe.

    ‘Ne penguam 1,2 milionë përpjekje për publikimin e videos dhe arritëm të gjenim 300,000 publikime të tjera të së njejtës video brenda 24 orëve të para. Pra ne patëm një përgjigje shumë të fortë dhe të shpejtë”, tha Neil Potts, Drejtor i Politikave Publike në kompaninë Facebook.

    Vendimi për të hequr videot e vrasjeve masive me armë është i qartë. Monitorimi i fjalës së lirë së më shumë se 2 miliardë njerëzve është shumë më kompleks.

    “Gjuha e urrejtjes, për shkak se shpesh më shumë mbështetet në të folur, sesa në platformat vizuale, ndonjëherë është më e vështirë të zbulohet se sa disa forma simbolike të propagandës terroriste. Konteksti i kësaj gjuhe është i veçantë dhe mund të jetë i debatueshëm pasi shpesh ka mosmarrëveshje mbi atë se çka mund të konsiderohet fjalim politik. Në anën tjetër, zbatimi tepër tepër agresiv gjithashtu mund të shuajë pa dashje zërat që po përdorin platformën për t’u dëgjuar për këto çështje të rëndësishme”, tha Alexandria Walden, këshilltare ligjore e kompanisë Google.

    Kompanitë e mediave sociale mbrohen me ligj nga përgjegjësia për përmbajtjet e postuara në platformat e tyre.

    “Kjo është një pjesë e legjislacionit që me të vërtetë lejon internetin të funksionojë ashtu siç e kuptojmë tani. Ndërhyrja në këtë këtë ligj, mendoj se mund të ketë pasoja të rënda për konsumatorët që përdorin këto shërbime. Nëse ndryshohet legjislacioni për të bërë Facebook-un, Twitter-in, YouTube-in përgjegjës për përmbajtjet ekstremiste, atëherë, për shembull, mund të ndeshemi me rrezikun e një reagimi të tepruar që do të mund të çonte në mbylljen nga Facebook-u dhe Twitter-i të shumë kanaleve dhe përmbajtjeve në platformat e tyre”, thotë Matthew Feeney i Institutit Cato.

    Supremacia e bardhë nuk është lejuar kurrë në Facebook, por kohët e fundit kompania ka zgjeruar fushën e ndalimit, duke i ridrejtuar përdoruesit në një organizatë jofitimprurëse që i ndihmon njerëzit se si të braktisin grupet e urrejtjes.

    “Ne vendosëm që në këtë politikë të përfshihet një ndalim për të gjithë ata që lavdërojnë, mbështesin dhe përfaqësojnë nacionalizmin dhe separatizmin e bardhë. Ne i shohim këto ideologji si të ndërlidhura ngushtë me supremacinë, që në përgjithësi qëllim përfundimtar kanë dhunën”, tha Neil Potts, Drejtor i Politikave Publike në kompaninë Facebook.

    Retorika e Presidentit Trump për emigrantët dhe reagimi i tij pas incidentit vdekjeprurës të vitit 2017 në Charlottesville inkurajojnë fjalimet e urrejtjes, thonë demokratët. Presidenti e mohon këtë, por rreziku i supremacisë së bardhë u pranua javën e kaluar edhe nga zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend.

    “Ne e vlerësojmë atë si një kërcënim këmbëngulës dhe të përhapur”, tha Drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

    Një problem kaq i menjëhershëm sa që numri i madh i komenteve me përmbajtje raciste në transmetimin e drejtpërdrejt të seancës dëgjimore në YouTube, çoi në mbylljen e seksionit të komenteve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark