Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, gjatë konferencës së sotme për medie, prezantoi projektin e tij “Tullëtorja”, i cili parasheh shndërrimin e saj në Muze të Artit Modern.
Përparim Rama, ka thënë se në kuadër të rigjenerimit të qytetit, do të bëhet edhe rigjenerimi i lagjes “Kodra e Trimave”. “Kjo do të ndodhë përmes shndërrimit të Tullëtores në Muze të Artit Modern, kurse në këtë pikë do të krijohet një parking nëntokësor, me një platformë urbane që do të lidhë “Kodrën e Trimave” me qendrën e qytetit”, ka thënë Rama.
Rama, ndër të tjera, ka thënë se kjo pjesë do ta ketë edhe platformën e gjelbër urbane e cila do të krijojë mundësi për lëvizje të lehtë e të drejtpërdrejte për çdo qytetar, e posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara. “Projekti i Planit Urban do të zgjasë 9 muaj dhe implementimi i tij do të fillojë mbas 1 viti me kontrata publiko-private.” ka thënë, Rama.