Përparim Rama, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, vizitoi fshatin Barileve ku ndër të tjera shpalosi dhe programin e tij për zhvillimin e bujqësisë në Prishtinë.
Programi i Ramës parasheh angazhim të veçantë për rritje të përkrahjes për sektorin e blegtorisë, gjedhtarisë, bletarisë, prodhimtarisë organike, perimtarisë, dhe kultivimin e pemëve të imta. Njëkohësisht, Rama do të ofrojë edhe përkrahje dhe mbështetje të bujqve në kultivimin e bimëve mjekuese dhe aromatike ku pritet që deri në 100 fermerë do të përkrahen për të zhvilluar këtë aktivitet.
Për blegtorinë Rama do të ofrojë përkrahje në ndërtimin e stallave dhe furnizimin me pajisje për mjelje, ftohje dhe dhoma të qumështit, pajisje për përgatitjen e ushqimit të koncentruar dhe racioneve të kafshëve, pajisje për përgatitjen e ushqimit voluminoz dhe në përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse në fermë.
Për të përkrahur bujqit dhe blegtorët në menaxhimin e fermave të tyre dhe në plasimin e produkteve të tyre do të ketë përkrahje për ndërtimin e pikave të reja grumbulluese, fuqizimin e këtyre pikave grumbulluese dhe frigoriferike si dhe ofrim të tregut modern për tregtarët dhe për prodhuesit vendor.
Duke pasur parasysh rëndësinë e ujitjes në bujqësi, Rama u zotua se do të rregullojë shtretërit e lumenjve për të siguruar mbrojtje nga ndotjet dhe vërshimet si dhe analiza të rregullta të ujit, tokës dhe analiza të tjera, për fermerët potencialë që prodhojnë për tregun e eksportit.