Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin “Prime Time” me Xhemajl Rexhën, ka thënë se programi i tij ndahet në 3 shtylla: Prishtina praktike, e pastër dhe e përjetimeve.
“Gjatë mandatit tim Prishtina do të jetë praktike, përmes trotuareve funksionale, projektit “Prishtina 7 minuta” etj. E pastër duke bërë menaxhimin e mbeturinave, krijimin e hapësirave të gjelbëra, duke rregulluar kaosin vizual përmes rregullimit të kabllove elektrike, ndërtimeve pa leje. Kurse e përjetimeve duke e vënë në pah shpirtin e qytetit, përmes festivaleve të ndryshme, përmes sportit, kulturës dhe artit. Përmes Prishtinës së përjetimeve, qytetari do ta ndjej veten i lirë dhe Prishtinën do ta kthejmë në një qytet turistik”, ka thënë Rama.