×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Përparim Rama i jep afro 14 mijë euro për t’i vetëdijësuar prishtinasit për qen endacakë, kompania fituese as pas një muaji s’e di si do të shkojë fushata

    Insajderi
    14 September 2023 - 16:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Strategjia” e Përparim Ramës për zgjidhjen e problemit me qen endacakë po kushton më shumë se 1.3 milion euro. Përveç që po i subvencionon kryeqytetasit me nga 50 euro për adoptimin e një qeni endacakë, Komuna e Prishtinës ka ndarë 13.520 euro për tu vetëdijësuar për ta. Kompania fituese e këtij tenderi, AMC Marketing SH.P.K., ka njoftuar se ende s’ia ka filluar punëve, meqë ka mbajtur vetëm dy takime deri më tani me komunën.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Labinot Gashin, i cili figuron si bashkë-themelues i AMC Marketing SHPK, kompanisë fituese të tenderit “Fushatë e vetëdijësimit për qenet endacak”. Gashi, ndonëse ka bërë të ditur se fushata do të fokusohet në rrjete sociale, ka thënë se nuk e ka ende të qartë se cilat do të jenë aktivitetet e fushatës.

    “Nuk e kemi të qartë as ne ende krejtë, sepse nuk e kemi kry krejtë kampanjën, veç i kemi pasë dy takime dhe hala presim, e më pas postohen. Kryesisht është për adoptim të qenve endacakë. Fushata do të jetë e orientuar në rrjete sociale pak më shumë”, ka thënë Gashi për Insajderin.

    Insajderi ka kontaktuar nëpërmjet e-mailit përpara tri javësh edhe zyrtaren përgjegjëse të prokurimit për ta pyetur për detaje të kontratës, por deri në këtë moment s’ka marrë ndonjë përgjigje.

    Kontrata është dhënë fiks që një muaj. Në njoftimin e dhënies së kontratës së hapur, bëhet e ditur se kriteret e dhënies janë bërë përmes çmimit më të ulët. Vlera e parashikuar e kontratës nga ana e komunës është 20 mijë euro, ndërkaq AMC Marketing SH.P.K. ka ofruar 13,520 euro.

    Kontrata, sipas informatave që janë publike në uebfaqen e komunës, do të zgjasë gjashtë muaj.

    Tek pjesa e përshkrimit të specifikave për fushatën vetëdijësuese, operatorit ekonomik i kërkohet realizimi i tri videove vetëdijësuese nga 40-60 sekonda, krijimi i një uebfaqe dhe postimi i materialeve vizuele për fushatën, si dhe realizimi i foto sesioneve vazhdimisht.

    Kryetari i kryeqytetit i ka ndarë edhe 1.3 milion euro pë trajtimin e qenve endacakë. Në kuadër të këtij buxheti është planifikuar edhe ndarja e 50 eurove për secilin qytetar që trajton qen.

    Në fillim të shtatorit, Rama ka njoftuar se deri në atë periudhë janë adoptuar 30 qen endacakë.

    “Po vazhdon me sukses adoptimi i qenve endacakë. Në më pak se një javë janë adoptuar 30 qenë endacak, ndërkohë që janë lajmëruar shumë qytetarë të cilët duan të adoptojnë këto kafshë. Ekipet tashmë janë duke i shqyrtuar kërkesat dhe në kohë të shkurtër do ju kthejnë përgjigjje”, ka thënë ai nga ‘Facebook’-u.

    Çështja e qenve endacakë është marrë goxha seriozisht nga Rama. Kujtojmë deklaratën e tij, i cili ka thënë se secili qen në kryeqytet do ta ketë një pronar. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark