Një përplasje e ashpër publike ka shpërthyer mes shkrimtarit e profesorit universitar, Ag Apolloni, dhe drejtuesve të Universitetit të Prishtinës.
Apolloni ka akuzuar publikisht Rektorin e UP-së, Arben Hajrullahu, për “kërcënim” dhe tentim censure, pasi Rektorati i ka kërkuar zyrtarisht të tërheqë fjalët e thëna gjatë një ligjërate për akademik Rexhep Qosjen.
Konflikti ka nisur pas fjalimit të Apollonit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Qosjes, ku ai kishte kritikuar udhëheqjen e UP-së për indiferencë dhe mungesë të organizimit të ndonjë komemoracioni apo dërgimit të telegramit të ngushëllimit pas vdekjes së akademikut më 23 prill 2026.
Rektorati, përmes një shkrese zyrtare të nënshkruar nga këshilltari për komunikim, Bekim Muhaxheri, i ka kërkuar Apollonit demantimin e këtyre deklaratave, duke i quajtur ato “krejtësisht të pavërteta” dhe duke pretenduar se UP-ja kishte lëshuar një njoftim ngushëllues në faqen e saj zyrtare.
Mirëpo, Apolloni ka reaguar ashpër duke e quajtur këtë shkresë një kërcënim të pastër. Ai ka ironizuar “njoftimin e fshehtë” të UP-së për një figurë si Rexhep Qosja, duke thënë se për profesorë të tjerë dërgohen email-e masive e organizohen komemoracione.
Apolloni madje ka ofruar dorëheqjen e tij nëse prania e tij në fakultet pengon rrethin e rektorit: “Të hënën i dorëzoj çelësat në Rektorat.”
Në fund të reagimit të tij, Apolloni i është drejtuar prerë rektorit Hajrullahu: “Tërhiqe kërcënimin… bëhu ‘insan’, o Sulltan, dhe kërko falje! E mos m’i nxirr këshilltarët në ring, se nuk t’i bëj hesap.”
Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Ag Apollonit:
NJOFTIM PUBLIK
Unë, Ag Apolloni, që fola dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Rexhep Qosjes, duhet t’i tërheq të gjitha fjalët që kam thënë, sepse i është prishur qejfi rektorit të Universitetit të Prishtinës, naltmadhnisë së tij, z. Arben Hajrullahu. Kështu më urdhëroi sot Bekim Muhaxheri, “këshilltar për komunikim me publikun i rektorit, prof. Arben Hajrullahu”. Mos qeshni pse në fund e ka vënë pikë! Hiç më mirë nuk shkruan as rektori.
Natyrisht, unë nuk e tërheq fjalën, sepse ajo që kam thënë është e vërtetë, e nëse e vërteta e paska lënduar rektorin, aq më keq për rektorin. Të tjerët e kanë pranuar si Sulltan, bur burrë s’e kam në plan.
Ja letra e plotë e këshilltarit të tij:
“I nderuar profesor Apolloni,
Ju kërkoj që me njoftim publik ta tërhiqni një pjesë të fjalimit tuaj të mbajtur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës „Pjetër Bogdani”, në nëntëdhjetëvjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja.
Në një kronikë të KTV-së, lidhur me ligjëratën tuaj „Fjalim për njeriun e fjalës”, të transmetuar në lajmet e mbrëmjes (nga minuta 30: 09 deri te minuta 30: 15), pretendohet se keni thënë që Universiteti i Prishtinës nuk ka dërguar telegram ngushëllimi për vdekjen e akademik Rexhep Qosjes më 23 prill 2026. (KTV, Lajmet e Mbrëmjes, 25.06.2025 https://www.youtube.com/live/23rCVu29HAk?si=sCX3Yx79Ewizc49S) .
Edhe në lajmin për të njëjtën ngjarje të publikuar
në portalin „Koha.net”, citoheni të keni thënë: „Krejt këto nuk mjaftuan që rektori aktual (Arben Hajrullahu v.j.), i cili deri më 2024 ishte pjesë e OJQ-së “Admovere”, të mbante një komemoracion, ose të bënte një postim në rrjete sociale, apo të shkruante së paku një telegram ngushëllimi për humbjen e kolegut, siç bëhet zakonisht”. (Koha.net, „Njeriu i fjalës që i trazoi të gjithë”, 25 qershor 2026, https://www.koha.net/kulture/rexhep-qosja-njeriu-i-fjales-qe-i-trazoi-te-gjithe).
Nëse është kështu si e thonë kronika dhe lajmi, ky pretendim juaji z. Apolloni është krejtësisht i pavërtetë.
Universiteti i Prishtinës e ka pritur me dhimbje të thellë lajmin për vdekjen e akademik Rexhep Qosjes dhe në ditën kur personaliteti i nderuar ndërroi jetë, e ka publikuar njoftimin ngushëllues drejtuar familjes së të ndjerit, personelit akademik, kolegëve, studentëve, miqve dhe të gjithë të pikëlluarve.
Prandaj, ju ftojmë, që nëse mediumi „Grupi Koha” nuk ka keqcituar fjalët tuaja, ta demantoni lajmin e rremë po në KTV dhe portalin Koha.net, në edicionin e njëjtë informativ dhe hapësirën informuese të këtij portali.
Universiteti i Prishtinës në vazhdimësi është cak i sulmeve nga lajme të tilla të pavërteta dhe gjysmë të vërteta, bur më së paku pritet që imazhi i tij të dëmtohet nga ata që punojnë në këtë institucion.
Me respekt,
Bekim Muhaxheri,
këshilltar për komunikim me publikun i rektorit, prof. Arben Hajrullahu.”
Pra, ky është kërcënimi që është shkruar dje, bur ma dërgoi sot në orën 5:21 (pra, pas orarit të punës) nga Rektorati, përkatësisht nga emaili: [email protected], ku janë bashkëngjitur edhe emailet: [email protected], [email protected], dhe [email protected].
Siç e patë, këshilltari thotë se kam gënjyer, sepse “Universiteti i Prishtinës (…) e ka publikuar njoftimin ngushëllues drejtuar familjes së të ndjerit, personelit akademik, kolegëve, studentëve, miqve dhe të gjithë të pikëlluarve”.
A jeni, more, në vete? Për Rexhep Qosjen keni bërë (nëse keni bërë), “njoftim ngushëllues” ku s’e sheh kurrkush, kurse për lloj-lloj profesori e punonjësi të UP-së na dërgoni emaile ngushëllimi dhe organizoni komemoracione. Për Rexhep Qosjen, që është doktor i parë i shkencave filologjike në UP, për Rexhep Qosjen që është studiuesi më i madh i një periudhe letrare, kulturore dhe historike, për Rexhep Qosjen, autorin e romanit më të mirë e më të famshëm kosovar, për Rexhep Qosjen, intelektualin më të madh e më të guximshëm, ju mendoni se e keni kryer obligimin me një postim që s’e ka parë kush.
Deri tash isha duke hulumtuar nëpër emaile, se mos ka kaluar në “spam” kjo dhimbja juaj e thellë për vdekjen e akademik Rexhep Qosjes, bur s’e gjeta.
Unë thashë “krejt këto (kontribute e merita) nuk mjaftuan që rektori aktual, i cili deri më 2024 ishte pjesë e OJQ-së Admovere, të mbante një komemoracion, ose të bënte një postim në rrjete sociale, apo të na shkruante së paku një telegram ngushëllimi për humbjen e kolegut, siç bëhet zakonisht”.
Kjo “të na shkruante” domethënë “të na e dërgonte”, qysh veprohet zakonisht.
Unë në fjalimin tim i shpreha ngushëllime edhe rektorit dhe kolegëve dhe miqve të tij nga OJQ-të: “nga thellësia e zemrës, u shpreh ngushëllime të gjithëve që e sulmuan dhe vazhdojnë ta sulmojnë Qosjen, sepse vërtet më dhimbsen që një jetë u përpoqën ta eliminojnë me shpifje, sulme mediatike dhe fizike, dhe ai prapëseprapë shkoi kur deshi vetë”.
Ti je rrenc, jo unë. Ku po do rrenë më të madhe sesa të më drejtohesh mua (nëpërmjet këshilltarit) me “I nderuar profesor”, bur nuk më kthen as përgjigje në email? Nëse më nderon vërtet, pse nuk më je përgjigjur në emailin e 24 prillit, kur të jam drejtuar nga Amerika, në formën amerikane (pa tituj): “Përshëndetje, Arben! Nuk pashë asnjë njoftim për ndonjë organizim komemorativ nga UP-ja, për Prof. Rexhep Qosjen.
Desha ta di cilat janë arsyet e kësaj indiference. Të fala, Agu”. Më thua “I nderuar” dhe më nderon duke më shpërfillur? Ti?!
O rektor (nuk mund të të drejtohem me “I nderuar”, sepse i nderuar mbetet Rexhep Qosja, jo ti), tërhiqe kërcënimin, që në ‘subject’ e ke quajtur “Kërkesë për tërheqjen e pretendimit se Universiteti i Prishtinës nuk ngushëlloi për vdekjen e Rexhep Qosjes”, se unë jam letrar dhe i kuptoj më mirë se ti nuancat e fjalëve. Ajo s’është kërkesë, bur kërcënim.
Fjalimi im nuk ishte shpifje, bur mbrojtje e së vërtetës, e cila ty të dhemb fort, prandaj, jo vetëm që nuk organizove komemoracion për të, bur nuk erdhe as në takimin nderues në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, edhe pse ftesën ta kam dërguar shqip dhe anglisht.
Natyrisht që do të kishe ardhur dy orë përpara sikur ta dije që aty do të ishin edhe kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Arsimit, sepse, si shkrimtar që jam, karakteret si ti i njoh mirë, dhe i kam gjetur edhe në veprat e profesorit tim të nderuar, shkrimtarit Rexhep Qosja.
Mjerisht, ti je shefi i UP-së, unë jam vetëm një profesor. Nëse të pengon fytyra ime (ndoshta s’i plotëson kriteret e tua estetike), të hënën i dorëzoj çelësat në Rektorat. Por, nëse të pengojnë fjalët e mia të vërteta, bëhu ‘insan’, o Sulltan, dhe kërko falje! E mos m’i nxirr këshilltarët në ring, se nuk t’i bëj hesap.
Pa respekt,
Ag Apolloni