Shqipëria fitoi me shifrat 3-0 ndaj Çekisë duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në Euro 2024. Pas kësaj sfide në emisionin “Kuqezi” foli Ylber Ramadani. Mesfushori u shpreh se ka mësuar shumë nga eksperienca në Shqipëri me Partizanin ndërsa shtoi se tashmë Shqipëria është shumë kompakte dhe nuk i lejon shanse kundërshtarëve.
“Është natë e madhe për të gjithë dhe janë tre pikë shumë të rëndësishme, u futëm për të fituar dhe jo barazuar. Kur shënuam ata sulmuan sepse ishin të dytët në grup, por për ne është një mbrëmje e madhe. Përqafova babin dhe më tha se ka mbetur edhe një ndeshje.
Sot para ndeshjes fola me Ajetin dhe Gjimshitin, i thashë se unë luaja në Kosovë kur ju shkuat dhe shpresoj që edhe unë ta bëj ëndrrën realitet. Kur erdha në fillim në Shqipëri kisha vështirësi, luaja me Partizanin B për tre katër muaj, por nga aty mësova shumë.
Tani e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, kundërshtarët nuk kanë shumë shanse, bënë vetëm golin me dorë dhe asgjë tjetër. Fitoren ia dedikoj Zotit dhe pastaj familjes sime”, u shpreh Ramadani.