×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Përurohet libri studimor “Ekuilibri letrar” i akademik Nysret Krasniqit

    Insajderi
    25 September 2023 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nesër, 26.09.2023, ora 11:00, në ambientet e ASHAK-ut do të përurohet libri studimor “Ekuilibri letrar” i akademik Nysret Krasnqit.

     

    Për librin në fjalë do të flasin akademikë dhe njohës të artit letrar.

     

    Në këtë vepër bërthamë e studimit është “mbrojtja” e ligjësive specifike të letërsisë. Etikë e intencë e tij është konceptualiteti estetik i artit letrar si fenomen primordial i qenies për ta ruajtur dhembjen shpirtërore. Dhembjet shpirtërore marrin forma individuale me trashëgimi arketipore në vepra letrare, për t’u shndërruar në kujtesë e rikujtesë universale.

     

    Kujtesa dhe rikujtesa, kur jetësohen në vepra artistike e ruajnë misterin e vetërregullimit dhe të shndërrimit të tyre në simbol, figurë apo në kratilizëm. Në këtë libër diskutohet prania e fenomenit të ndërhyrjes pikërisht në natyrën vetërregulluese dhe evolutive të shprehjes letrare si kujtesë, e cila botën letrare e ka shtyrë drejt konfliktit me arbitraritetin e filozofemave të autoritetit.

    Gjithashtu, në këtë libër argumentohet se si konceptet filozofike shpeshherë janë shndërruar në forma dhe doktrina autoritare, madje janë kthyer në ideologema dhe aparate politike, të cilat e kanë prerë evolucionin autonom letrar me synimin e kthimit të artit letrar në mjet pragmatik-propagandues si politikë që aspiron të renë progresiste.

     

    Si rrjedhojë, argumentohet se insistimi në të renë progresiste, i mbrujtur me konceptet filozofike të dyshimit, shpeshherë e ka mohuar vetëdijen për gnosisin letrar dhe ka ndikuar në çekuilibrime të ligjësive specifike letrare. Për pasojë, misteri primordial i artit për ta ruajtur kujtesën është shndërruar në mjet për ta mbjellë harresën. Libri propozon ruajtjen e ekuilibrit letrar dhe këtë intencë e dëshmon nëpërmjet analizës fenomenologjike të letërsisë dhe të kulturës shqipe, por edhe me diskutime filozofike-teorike si spektër i ndikimit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark