Është e çuditshme që Vedat Muriqi po luan këtë sezon me fanellën e skuadrës së Mallorcas. Sulmuesi në fakt duhej të luante me fanellën e Club Brugge. Që transferimet mund të dështojnë në sekondën e fundit, dëshmohet në çdo afat kalimtar. Tifozët e Union Berlinit do ta kujtojnë mirë dramën e Iscos.
Që një lojtar është në prag të një klubi, por në fund askush nuk dëshiron të dijë asgjë për ndryshimin e papritur, është gjë e rrallë. Muriqi është dashur ta përjetojë pikërisht këtë, kur donte t’i bashkohej Brugget. Gjithçka ishte e qartë për sulmuesin, por me sa duket një plan i çuditshëm u hartua në Brugge për ta prishur marrëveshjen në sekondën e fundit.
Mallorca nuk mundi të shfrytëzonte opsionin për ta blerë kartonin e Muriqit në fund të sezonit të shkuar për arsye financiare dhe 28-vjeçari duhej të kthehej te Lazio. Brugge ishte përpjekur të merrte shërbimet e sulmuesit shumë shpejt, të paktën kështu mendon lojtari.
“Ne ishim shumë të befasuar që gjithçka ndodhi kaq shpejt dhe se Lazio dhe Brugge kishin tashmë një kontratë për Vedatin. Ishte sikur transferimi të ishte bërë me nxitim”, kujton një person i afërt me lojtarin në një intervistë për Relevo.
Kështu, Muriqi dhe këshilltari i tij u nisën shpejt për në Brugge. Kur arritën atje, ndodhën gjëra të çmendura: asnjë president, asnjë drejtor sportiv, askush nga klubi nuk e priti lojtarin në aeroport.
“Na futën në një shtëpi me qira sepse të gjitha dhomat e hotelit ishin plot. Nuk më pëlqeu dhe më zemëroi”, ka thënë Muriqi.
Nata e parë në Belgjikë kaloi disi dhe kontrollimi mjekësor ishte në rend. Deri atëherë transferimi dukej se do të ecte pa probleme.
“Vedati u tha atyre se nuk mund të bënte më të mirën në kontrollimin ku duhej të vraponte me maskë. Ai nuk ishte stërvitur dhe nuk donte të rrezikonte, ta dëmtonte veten. Kështu që ata i thanë të bëjë sa të mundet”, shtoi personi i afërt me Muriqin.
Kontrollimi mjekësor përfundoi, por nuk ishte krejt i qartë për shkak të rrethanave të çuditshme, ndonëse për Muriqin dukej gjithçka e kryer dhe ai ishte i bindur se shumë shpejt do të luante dhe shënonte gola në Ligën e Kampionëve. Hapi tjetër pas kontrollimit mjekësor ishte nënshkrimi i kontratës. Por më pas erdhi shpërthimi i madh: kampi i Muriqit zbuloi përmes rrjeteve sociale se ai kishte dështuar në kontrollin mjekësor.
“Imagjinoni situatën. Ai e zbuloi përmes Twitterit se dështoi në testet mjekësore. Në rutinë duhej të arrinte një përqindje më të madhe se 50 dhe ai arriti në 48. Por ai tashmë u kishte thënë drejtuesve se ishte pa stërvitje dhe nuk mund të arrinte lehtësisht në atë pikë. Jam i sigurt se e gjithë kjo ishte një strategji nga Brugge për të ulur çmimin e transferimit. Dy ditë më vonë, Vedati bëri të njëjtin test te Lazio dhe arriti në 52 për qind”, tha personi i afërt me Muriqin.
Kështu, Muriqi u kthye në Romë. E ardhmja e tij nuk dukej se qëndronte në Brugge dhe Liga e Kampionëve ishte shumë larg. Por pak më vonë, telefoni ra sërish në kryeqytetin italian.
“Thirrën përsëri dhe donin ta huazonin Muriqin deri në fund të sezonit me një opsion për ta blerë. Por a nuk e refuzuan sepse ai nuk e kaloi testin? Vedati nuk ishte i gatshëm të kthehej atje”, tregon burimi.
Fituesja më e madhe e këtij dështimi ishte skuadra e Mallorcas. Spanjollët donin ta mbanin Muriqin pas huazimit, por duhej ta linin të largohej. Nga ana tjetër, Lazio nuk ishte shumë i interesuar për të mbajtur sulmuesin e gjatë 194 centimetra. Prandaj, klubi i La Ligës ka kontaktuar me italianët për të detyruar sërish një transferim.
Kështu që pas tri javësh, Muriqi u kthye në Mallorca. Spanjollët paguan vetëm 7.7 milionë euro për ish-sulmuesin e Fenerbahçes. Jo vetëm për Mallorcan dhe Muriqin marrëveshja ishte një gjë me emocione, por edhe për Lazion që e shikoi transferimin e tij me ndjenja të përziera. Italianët e transferuan atë për 20 milionë euro nga Fenerbahçe në verën e vitit 2020.
Kur ai u huazua te Mallorca, një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh u fut në kontratë, kështu që Lazio përfundoi duke humbur pothuajse 13 milionë euro për golashënuesin. Me transferimin te Mallorca është ndarë i kënaqur jo vetëm ekipi spanjoll, por edhe Muriqi që ka kontratë deri në vitin 2027. Dhjetë gola dhe tri asistime konfirmojnë formën e tij të mirë te Mallorca, ndërsa në anën tjetër te Brugge mund të jenë të pikëlluar për anulimin e transferimit të tij nëpërmjet Twitterit.