
Kryenegociatorja nga Prishtina për dialogun teknik Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri thotë se zgjedhjet në Serbi do ta shtyjë procesin e dialogut.
Tahiri ka deklaruar për Kosova Press se pas zgjedhjeve në Serbi do të diskutohen tema të reja në Bruksel.
“Do të mund të ndodhë që mes Prishtinës dhe Beogradit të krijohen temat e reja për dialog”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka përmendur një listë temash për të cilat do të mund të diskutohet.
“Kemi çështjet e reparacioneve të luftës siç është çështja e të pagjeturve, pastaj kthimi i fondit pensional për gjithë pensionistët që nga koha e ish Jugosllavisë të cilët kanë gëzuar këto pensione por për fat të keq Serbia i ka uzurpuar këto fonde pensionale. Pastaj vjen depozita bankare, pastaj vinë dëmshpërblimet për dëmet e luftës që janë bërë në Kosovë nga Serbia në të gjitha aspektet, çoftë dëme njerëzore, çoftë materiale, kulturore, fetare etj. Pastaj vjen faza e daljes së pasurisë sipas parimit ndërkombëtarë të suksesionit”, deklaroi Tahiri.