×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “Pikëpjekja” e Ollurit

    Insajderi
    16 July 2023 - 19:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Agron Y. Gashi, shkrimtar

    “Pikëpjekja letrare” është titull i thjeshtë, por në të vërtetë është një libër kompleks me studime të specializuara për fenomene, vepra dhe autorë. Në këtë libër kritik janë përmbledhur studime të cilat janë publikuar qoftë në periodik, po ashtu edhe si kumtesa në konferenca shkencore.

    Secili punim shquhet për horizontin studimor të Ollurit, i cili me kompetencë profesionale trajton tema specifike, çështje të letërsisë dhe të autorëve bashkëkohorë shqiptarë, por edhe të letërsisë së huaj.

    Olluri, edhe kur teorizon, argumentimi e interpretimi i tij është i qartë dhe i kuptueshëm, duke ia përshtatur metodën e qasjes veprës dhe jo veprën-metodës.

    Fenomenet letrare pikëpjekjen e tyre e kanë në tema e ide, në trajta dhe modele të shkrimit, prandaj edhe qasja krahasimtare, edhe si poetikë, edhe si interpretim është bërë me akribi shkencore.

    Kritika studimore e Ollurit karakterizohet nga mbështetja në poetikën, teoritë dhe interpretimet bashkëkohore letrare dhe historike.

    Ai njeh problemet e historiografisë letrare dhe të sociologjisë së kulturës, duke aplikuar qasjen strukturaliste deri te interpretimet teorike semiotike.

    Olluri, duke pasur gamë të gjerë kulturore, trajton ideologjinë letrare përballë ideologjisë politike, prandaj aty-ku ndeshët letërsia me totalitarizmin dhe pikëpjekja është diakronike, ai ofron argumente të krahasueshme, ilustron tekste, shpalon ide, tema e arkitema, shenjë kjo e leximeve dhe e kërkimeve sistematike.

    “Pikëpjekjen…” e hap studimi “Arketipi folklorik në romane bashkëkohore” me fokus prozën e Kadaresë, Qosjes dhe të Pashkut, ku teorizon çështje të letërsisë përballë folkloristikës, me theks arketipin balador (te Kadareja), arketipin e citatësisë esklpicite (te Qosja) dhe arketipin si diskurs shkrimi (te Pashku). Ndërsa, te studimi “Një sprovë sociologjike për një histori letërsisë”, Olluri trajton studimin e Arshi Pipës “Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore”, në të cilin heton modelin studimor, prirjet për të bërë një tipologji sociale të personazheve të letërsisë, e deri te sprovat për periodizim dhe dilemat nëse kjo, në fakt, është një histori e letërsisë prej perspektivës sociale.

    Po aq i rëndësishëm është shkrimi metakritik për monografinë e Pipës për De Radën. Olluri zgjerohet në kërkimet për letërsinë bashkëkohore shqipe, nis me fenomenin e diktaturës dhe ndikimin e saj në disa romane shqipe, trajton veprën e Ymër Shkrelit në një shkrim tjetër, merret me modelin studimor të Bajram Krasniqit, analizon poezinë e Rrahman Dedajt, tregimet e Pashkut dhe ato të Arif Demollit etj.

    Përveç tyre, punime të cilat po ashtu qëndrojnë në nivel të lartë të kërkimit akademik janë edhe: “Letërsia e krahasuar- objekti i studimit dhe funksioni i saj”, i shkruar ngadalë dhe i mbështetur në teoritë dhe shkollat më të njohura evropiane për komparativistikën, ndërsa po aq i rëndësishëm është studimi prej këndvështrimit semiologjik “Informacioni enciklopedik në romane bashkëkohore shqiptare”, në të cilin trajton çështje të poetikës semiotike (të shenjës e të komunikimit gjuhësor), pastaj hapësirën, kohën si paradigma shënjuese të informacionit, romanin enciklopedik, e deri te tipologjia e informacioneve socio-kulturore karakteristikë kjo për romanet postmoderne, për çfarë Olluri, vite më parë ka publikuar një monografi.

    Jo më pak të rëndësishme janë dy punimet e fundit të këtij libri, si: “Fantastikja në romanet Orwell-it” dhe “Modeli semiologjik i Umberto Ekos”. Adil Olluri është prej atyre autorëve, që më shumë çmon autorin me status krijuesi, prandaj nuk është për t’u habitur pse librave të tij studimorë nuk u bën ‘jehonë publike’, ashtu si librave të tij artistikë, sepse është i bindur se letërsia është esenca dhe pas saj duhen të vijnë studimet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark