Vdekja e Anis Amri, terroristi i masakrës së tregut të Krishtlindjeve në Berlin ngre një sërë pyetjesh të cilave hetuesit duhet t’i përgjigjen.
Nga momenti i sulmit mbrëmjen e së hënës dhe rishfaqjes së tij në një tren për në Itali ekziston një boshllëk 4 ditor.
A e ndihmoi kush që të arratisej dhe përse tuniziani zgjodhi të shkojë në Milano, ku edhe u vra nga policia?? Fakti që një njeri i dyshuar për lidhje terroriste nga agjencitë sekrete gjermane, doli jashtë radarëve para sulmit dhe arriti të arratisej duke përshkuar mijëra kilometra rreth kontinentit pavarësisht urdhërarrestit kundër tij, po i vë në pozitë të ngushtë agjencitë e inteligjencës dhe politikanët europianë.
Një detaj i zbuluar së fundmi është se Amri ishte filmuar nga kamerat e survejimit teksa vizitonte një xhami në Berlin para dhe pas sulmit. Një element kyç për hetimet është celulari që i riu kishte me vete kur u ndalua e që tani është në duart e antiterrorizmit. Telefoni ishte i pajisur me një kartë holandeze ku nuk ishte aktivizuar thirrjet ndërkombëtare.
Pra, Amri nuk mund të merrte apo të bënte telefonata, por nga memoria e aparatit mund te zbulohen elemente të rëndësishëm për të sqaruar disa mistere.
Arratisja e tunizianit mori fund jashtë stacionit të Sesto San Giovanit, në hyrje të Milanos, por nuk është e qartë se çfarë po bënte ai atje.
Amri mund të ketë pasur kontakte në atë zonë, e megjithatë nuk përjashtohet mundësia se po përpiqej të largohej drejt jugut. Kur u ndalua nga policia, ai tha se ishte kalabrez dhe në jug të Italisë tuniziani ka jetuar për disa vite.
Hipoteza e një arratisje drejt Kalabrisë ushqehet edhe nga një tjetër element. Pikërisht nga Sesto San Giovani nisen disa autobusë që çojnë drejt Reggio Calabrias. Atentatori mbante veshur tre palë pantallona e nepër xhepa kishte fshehur 1500 euro kesh, duke shmangur përdorimin e kartave për të humbur gjurmët.
Me para në dorë ka paguar edhe biletën e trenit nga Franca në Milano. Mes hipotezave që deri më tani nuk ka përjashtuar askush është ajo që nga Sesto San Giovani, Amri mund të ishte duke përgatitur një tjetër masakër, këtë herë në Itali. ISIS mori përsipër autorësinë e sulmit në Berlin e në një video të publikuar pas vdekjes së tij, i riu shfaqej duke kërcënuar të gjithë Europën. “Do t’ju masakrojmë si derrat”, thoshte ai.