×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Insajderi
    23 November 2023 - 16:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për media ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë javës një jave.

    Zëdhënësi Doyle njoftoi se në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, blloku i radhës i seancave gjyqësore përfundoi të enjten e kaluar. Sipas tij, dëshmitari i 36-të i thirrur nga Prokuroria, z. Sadik Halitjaha, pritet të vazhdojë dhënien e dëshmisë gjatë seancës gjyqësore të ardhshme, më 4 dhjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Doyle në vazhdim tha se më 17 nëntor, në të njëjtën çështje gjyqësore, Zyra e Prokurorit të Specializuar parashtroi një kërkesë urgjente për ndryshim të kushteve të paraburgimit të z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi. Versioni i redaktuar publik i kërkesës u lëshua dje dhe gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.

    ” Në këtë parashtrim, Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues, duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke ua shpërndarë përmbajtjen konfidenciale të dëshmive personave që i kanë vizituar në objektin e paraburgimit. Prokuroria pretendon gjithashtu se hetimet kanë zbuluar tentime të mëtejshme për të penguar procesin gjyqësor, përfshirë dhënien e udhëzimeve se si duhet të japin dëshmi dëshmitarët dhe planet për kontaktimin e dëshmitarëve”, deklaroi zëdhënësi Doyle.

    Gjithashtu në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, Doyle tha se dje u lëshua versioni i redaktuar publik i Vendimit mbi Kërkesën e Mbrojtësit Kujdestar për Shtyrje të Dëshmisë së W04577-ës, që tani gjendet në faqen e internetit.

    “Vendimi ka të bëjë me dëshmitarin e 29-të të thirrur nga Prokuroria në këtë çështje gjyqësore. Në vendim, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e mbrojtësit kujdestar për shtyrje të dëshmisë së dëshmitarit, bazuar në faktin se psikologu i Zyrës për Mbrojtje dhe Mbështetje të Dëshmitarëve konstatoi se dëshmitari aktualisht nuk është në gjendje të japë dëshmi dhe se palët nuk e kundërshtuan kërkesën e mbrojtësit kujdestar. Trupi Gjykues miratoi shtyrjen e dëshmisë së dëshmitarit deri në një njoftim të ardhshëm dhe deri kur Trupi Gjykues të bindet se dëshmitari është në gjendje të japë dëshmi”, deklaroi ai.

    Lidhur me gjykimin kundër Pjetër Shalës, gjatë kësaj konference u tha se seancat po mbahen këtë javë dhe vazhdojnë dhe javën tjetër.

    Sipas Zëdhënësit Doyle, më 20, 21 dhe 22 nëntor, dha dëshmi dëshmitari i pestë, z. Zijadin Hoxha. Më 22 nëntor, filloi dhënien e dëshmisë dëshmitarja e gjashtë e thirrur nga Mbrojtja, znj. Safete Hadërgjonaj, dëshmia e së cilës përfundoi sot. Dëshmitarja e shtatë e thirrur nga Mbrojtja, Time Kadrijaj, filloi dhënien e dëshmisë sot.

    “Më 20 nëntor, Trupi Gjykues vendosi lidhur me vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës. Gjykatësit konstatuan se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuari të pengojë procesin gjyqësor dhe/ose të kryejë krime të tjera, përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi ose që do të japin dëshmi në këtë proces gjyqësor. Në lidhje me lirimin e përkohshëm, Trupi Gjykues gjykoi se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve të zbatueshme në objektin e paraburgimit të DHS-së, u tha në fund të kësaj konference.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark