×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Plagosja e tre personave në Gjakovë, spitali del me një njoftim për gjendjen e tyre

    Insajderi
    10 March 2024 - 15:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda” ka thënë se gjendja e tre personave që pësuan lëndime si pasojë e plagosjes me armë zjarri është stabile.

    Sipas njoftimit, dy prej tyre kanë marrë lëndime në pjesën e poshtme të trupit. Ndërkaq, personi i tretë i është nënshtruar operacionit, pas plagosjes në pjesën e poshtme të shpinës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Pas orës 00:20 në Emergjencën e Spitali janë lajmëruar tre qytetarët me lëndime me arme zjarri, prej tyre dy kanë lëndime në ekstremitetet e poshtme të trupit, pas trajtimit mjekësorë që kanë marrë në Emergjencë janë hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë, gjendja e tyre është stabile”, thuhet në njoftim.

    “Ndërsa personi i tretë ka lëndime në regjionin lumbal (pjesën e poshtme të shpinës) ka qenë e nevojshme ndërhyrja  kirurgjike, momentalisht është  salle të operacionit”.

    Tre persona mbetën plagosur në orët e para të mëngjesit të së dielës si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë.

    Gazeta Insajderi raportoi se nga sulmi me armë zjarri në lokalin ‘Republika’ kanë mbetur të plagosur dy vëllezërit pronarë Driton dhe Jon Stublla, si dhe një klient.

    I dyshuari, i cili gjendet në arrati, sipas këtij burimi është Shkelzen Ahmeti.

    Lajmin për incidentin në orët e para të mëngjesit të së dielës ka konfirmuar më herët për Insajderin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, teksa ka thënë se tre të dyshuarit gjenden jashtë rrezikut për jetë.

    “Sot rreth orës  00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë,  të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri.  Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, ka deklaruar ai.

    Sipas Elezajt, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark