Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë duke e diskutuar për një takim të radhës mes dy qeverive, për të vlerësuar nëse janë duke zbatuar disa marrëveshje të arritura më herët mes dy vendeve
Këtë e ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit që pati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Biseduam për shumë çështje të bashkëpunimit tonë vëllazëror dhe institucional. Biseduam për shumë tema si dhe për zbatimin e shumë marrëveshjeve që janë bërë nga takimet e përbashkëta të dy qeverive. Po ashtu biseduam edhe për një takim tjetër të përbashkët të dy qeverive për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjeve”, theksoi Mustafa.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, fillimisht ka uruar zgjedhjen e Hashim Thaçit president, ngjarje të cilën e ka quajtur pozitive për Kosovën.
Rama ka ardhur në Kosovë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Thaçit në postin e Presidentit të vendit që mbahet nesër në Prishtinë, dhe gjatë ditës do të takohet edhe me kryekuvendarin Kadri Veseli.
Pas takimit me Veseli në orët e pasdites së ditës së sotme, Rama do të qëndrojë në Komunën e Prishtinës ku do të takohet me kryetarin, Shpend Ahmeti./Insajderi.com