×
  • LifeStyle
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Platforma ‘Agromarket Ks’ pasuron tregun e blerjeve online në Kosovë

    Insajderi
    24 February 2021 - 10:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Projekti më i ri digjital që ndërlidh konsumatorët në mbarë Kosovën me fermerët dhe përpunuesit e produkteve ushqimore nga komunat Gjakovë, Suharekë, Shtërpce dhe Partesh lansohet së shpejti. Agromarket KS do të jetë adresa në internet ku çdo konsumator mund të blejë direkt nga ferma produkte të freskëta dhe të veçanta.

    Agromarket KS (www.agromarketks.com) vjen si përgjigje ndaj rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19. Ky treg digjital lehtëson blerjet për konsumatorët, pasi kursen kohën e tyre dhe shmang vizitat në tregje apo markete. Gjithashtu, shpalos për konsumatorët një listë të pasur me produkte të freskëta dhe të sigurta që ata mund t’i zgjedhin për shportën e blerjeve.

    “Digjitalizimi i shitjeve dhe blerjeve është proces i kohës që po jetojmë. Agromarket KS pasuron peisazhin e ekonomisë digjitale në Kosovë, lehtëson jetën e konsumatorëve dhe u mundëson fermerëve dhe bizneseve që të reklamojnë dhe shesin e produktet e tyre më lehtë dhe të arrijnë tek një numër edhe më i madh i konsumatorëve” thotë Myesere Hoxha nga kompania Sigma BMC që udhëheq projektin i cili mundësoi zhvillimin e këtij tregu digjital.

    Agromarket KS është treg digjital ku konsumatorët kanë qasje të lehtë dhe të drejtpërdrejtë në produkte të freskëta nga fermat, por edhe në produkte speciale që prodhohen në këto zona. Ai është krijuar në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i përdorshëm nga të gjithë, pa patur nevojë për njohuri të thelluara në përdorimin e platformave digjitale. Agromarket KS sjell zgjidhje moderne konkrete, por të lehtë për t’u përdorur si nga shitësit, ashtu edhe blerësit.

    “Blerësit regjistrohen në platformë me disa hapa të thjeshtë dhe pastaj, kanë mundësi të zgjedhin produktin që dëshirojnë, të shohin çmimin dhe të komunikojnë direkt me fermerin apo përpunuesin. Blerësi dhe shitësi e koordinojnë së bashku mënyrën dhe vendin e dërgesës, si të jetë më e përshtatshme për të dyja palët”, vazhdon Znj. Hoxha.

    Agromarket KS është zhvilluar në kuadër të projektit “Zhvillimi i komunitetit për përmirësim të mirëqenies dhe ndërtim të besimit” që mbështetet nga Agjencia për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Japonisë (JICA) dhe implementohet nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 dhe kompania për konsulencë të biznesit Sigma BMC. Projekti ka edhe mbështetjen e përfaqësuesve të shoqatave të fermerëve, qeverisjes lokale dhe OJQ-ve nga këto katër komuna, të cilët janë trajnuar gjatë tre viteve të fundit nga JICA dhe luajnë rol ndërlidhës mes fermerëve dhe projektit.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    LifeStyle
    25 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark